E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashket ne Shkoder, Masafra pagezohen 4 te rinj

SHKODER- Besimtarët katolikë në Shkodër kanë ndjekur mesnatën duke u gdhirë dita e sotme meshën e shenjtë kushtuar Ringjalljes së Jezu Krishtit, mbajtur në katedralen kryesore të qytetit “Shën Shtjefni”, e njohur ndryshe si Kisha e Madhe.

E drejtuar nga Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra, mesha e shenjtë ka filluar në mjediset e katedrales me zjarrin e ndezur, simbol i ditës së Ringjalljes së Krishtit. Ajo vijoi përmbi një orë dhe gjatë gjithë kohës u shoqërua nga kori i katedrales.

Një moment i veçantë gjatë meshës së shenjtë ishte pagëzimi i katër të rinjve, një djali dhe tre vajzave. Ceremonia në fjalë, me të gjithë elementët kishtarë, si bekimin e dhënë nga Arqipeshkvi, vendosjen e shenjës së kryqit në ballin e katër të rinjve dhe larjen e kokës së tyre me ujë të bekuar, u zhvillua në prani të nunave të tyre. Këto të fundit, në bazë të rregullit kishtar, duke u betuar përpara altarit, morrën përsipër përkujdesjen e personave të pagëzuar, gjatë të gjithë jetës së tyre, në të mirë dhe në të keqe.

“Jezusi është ngritur nga varri në mënyrë që ne të mund të gjejmë sërish guximin për t’u ngritur nga varret tona, nga varret e frikës dhe trishtimit tonë, nga dorëzimi dhe ankesat tona. Të ringjallesh do të thotë të ngrihesh edhe një herë e të kesh guximin ta rifillosh jetën”, tha Masafra.
Në pjesën e fundit të meshës së shenjtë u shënua momenti i kungimit të besimtarëve, të cilët duke marrë osten, korbin e Krishtit, ata morrën dhe bekimin për një shpirt të pastër në jetën e tyre të përditshme.
(s.g/atsh/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›