E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet nga detyra drejtoresha e kopshtit publik "Cicërimat"

22/04/2010 Skandali me fëmijët/ Tefta Zhulla largohet deri në përfundimin e hetimeve

GJIROKASTER- Pezullohet nga detyra deri në përfundim të procesit gjyqësore drejtoresha e kopshtit publik "Cicërima" në Gjirokastrës, Tefta Zhulla, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 3 punonjës socialë, kanë falsifikuar kartelat shëndetësore të 25 fëmijëve të moshës nga 3-6 vjeç, pa dijeninë e prindërve.

Pezullimi

Arjan Pano, drejtori i arsimit rajonal për qarkun e Gjirokastrës, konfirmoj se pezullimi është ndërmarrë për ti dhënë mundësi institucionit të akuzës të hetojë ngjarjen me imtësi. "Drejtoria e Arsimit rajonal është shumë e interesuar që të zbardhet sa më shpejt problemi i falsifikimit të kartelave shëndetësore të 25 fëmijëve dhe për këtë arsye drejtoresha Tefta Zhulla është pezulluar pa afat", tha Arjan Pano. Një ditë më parë, Policia Gjyqësore dorëzoi në Prokurorinë e Gjirokastrës dosjen penale ndaj katër punonjës të arsimit, të cilët janë Vasil Muka, ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore rajonale Gjirokastër, Tefta Zhulla, drejtoreshë e kopshtit “Cicërima”, Anila Caca, inspektore e Drejtorisë Arsimore rajonale Gjirokastër dhe D.Ç., koordinatore e projektit “Save the Children", tashmë e dorëhequr. Nga hetimet paraprake Prokuroria e Gjirokastrës ka vlerësuar katër akuza: “rrëmbim të fëmijëve pa dijeninë e prindërve”, “abuzim me detyrën shtetërore”, “abuzime me fondet jo publike” dhe “falsifikim të dokumenteve shëndetësore”.

Hetimet u nisën një javë më parë pas denoncimit të një prindi, i cili kishte mësuar rastësisht se i biri ishte klasifikuar në listat e fëmijëve me aftësi të kufizuar, ndërsa, sipas tij, djali 6-vjeçar gëzon shëndet të plotë. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se 25 fëmijë ishin përfshirë në një projekt për fëmijë me aftësi të kufizuar nga një shoqatë jo fitimprurëse. Drejtoresha e kopshtit “Cicërima” në bashkëpunim dhe me 3 shtetas të tjerë, një prej tyre ish-drejtori i DAR Gjirokastër, Vasil Muka, kishin shkruar emrat e një grupi fëmijësh me aftësi të kufizuar, ndërsa ata gëzonin shëndet të mirë.

Flasin edukatorët dhe qytetarë

Kopshti “Cicërimat” pa rregullore të brendshme

GJIROKASTER- Katerina Q. nga Gjirokastra, që prej dy vjetësh çon në kopshtin publik “Cicërima” vajzën 5-vjeçare më kot u përpoq të shikonte në këndin e njoftimit një rregullore të brendshme, ishte zhdukur. “Mesa jam e informuar në çdo kopsht apo çerdhe ka një rregullore të brendshme, e cila sanksionon të drejtat dhe detyrat të edukatorëve”, thotë Katerina, 35 vjeç, arsimtare. Katerina shprehet se kopshti “Cicërima” ka infrastrukturë të kënaqshme dhe procesi parashkollor është cilësorë, por mungon “kushtetuta” e saj. “Në qoftë se në kopshtin “Cicërima” do të kishte një rregullore të tillë, atëherë përgjegjësit të falsifikimit të kartelave shëndetësore të 25 fëmijëve të moshës nga 3-6 vjeç do të ishin identifikuar qysh ditën e parë, por një gjë e tillë nuk ndodhi”, pohon Katerina. Katerina thotë se rregullorja së brendshme në kopshte ka vetëm anë të mira, pasi fëmijët, prindërit dhe edukatoret respektojnë njërin-tjetrin. Hida Sotiri, drejtoresha e kopshtit “Soros”, thotë se në këtë institucion përgjegjësitë janë individuale, kjo fal zbatimit me përpikëri të rregullores së brendshme. “Për çdo problem që shfaq fëmija, prindi njoftohet i pari. Një herë të tre muaj plotësohet kartela personale e fëmijës nga edukatorja, qoftë edhe shëndetësor, kjo fal rregulloresh”, shprehet Sotiri. “Çdo vit rregullorja e brendshme miratohet bashkërisht me prindërit dhe më pas “dekretohet” nga Drejtoria Arsimore rajonale”, shton ajo. Tefta Zhulla, drejtoresha e kopshtit “Cicërima”, thotë se në këtë institucion është miratuar një rregullore e tillë, por fatkeqësisht nuk është zbatuar nga edukatoret prej vitesh. “Ajo që ndodhi në kopshtin “Cicërima ishte pasojë e moszbatimit të rregullores. U kërkoj falje prindërve për këtë shqetësim”, thotë Zhulla.

Zhulla shpjegon se tashmë pritet ndëshkime të rënda administrative për përgjegjësit që nuk respektuan rregulloren. Rajmonda A, edukatore në pension thotë se Drejtoria Arsimore rajonale mban përgjegjësi direkt për problemin që është publikuar me të drejtë në masmedia.

“Media ka rol edukativë. Ka ardhur koha që përgjegjësit e kopshteve të zgjidhen me votë nga komuniteti i prindërve dhe jo të emërohen”, thotë Rajmonda, duke nënvizuar se shumë edukatore të trajtuara gjatë viteve të fundit janë larguar apo transferuar sipas dëshirës së drejtuesve të Drejtorisë Arsimore. Në qytetin e Gjirokastrës funksionojnë shtatë kopshte publike e dy private me 500 fëmijë, si dhe një çerdhe në lagjen “18 Shtatori” me 25 vogëlushë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›