E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pezullohet një punonjës policie në Gramsh

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Një punonjës policie në komisariatin e Gramshit është pezulluar me vendim të Gjykatës së Elbasanit, pas hetimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Nënkomisari 31-vjeçar me inicialet G.C u pezullua nga detyra pasi dyshohet se ka vjedhur sendet e një personi të arrestuar, duke shpërdoruar detyrën.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), njoftoi sot se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar G. C., 31 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Nga hetimet e kryera nga AMP janë grumbulluar fakte dhe prova që krijojnë dyshimin se ky punonjës policie, duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar ose arrestuar.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›