Philip Roth e merr ‘Princin e Asturias’

Edhe një çmim i rëndësishëm letrar shkon te shkrimtari i njohur amerikan Philip Roth. Autori amerikan fitoi çmimin e letërsisë për vitin 2012, si mirënjohje ndaj kontributit të tij në letërsinë amerikane, por nuk mundi të ishte i pranishëm, sepse është në shërim e sipër nga një ndërhyrje kirurgjikale. Ambasadori i SHBA-ve, Alan Solomont, lexoi fjalët e falënderimit në emër të Roth-it.
Fitues i këtij çmimi ishte edhe japonezi Shigeru Miyamoto, krijues i lojës elektronike “Mario Bros”, i cili mori trofeun për komunikimin dhe njerëzimin. Biologu britanik, Gregory Winter dhe patologu amerikan, Richard Lerner, u dalluan në shkencë dhe kërkime teknologjike. Futbollistët e kombëtares spanjolle, Iker Casillas dhe Xavi Hernandez, morën çmimin e sporteve, ndërsa arkitekti spanjoll, Rafael Moneo, u nderua në kategorinë e arteve.
Fituesit kanë marrë këto çmime nga Princi Felipe, trashëgimtar i fronit të Spanjës. Çmimet, e krijuara në 1981, vlejnë secila 50 mijë euro.
Shkrimtari amerikan, Philip Roth, tashmë 79-vjeçar, është fitues i disa çmimeve prestigjioze letrare (mes të cilëve edhe Pulitzer) dhe disa herë kandidat për çmimin Nobel. Roth ka triumfuar mbi 23 pretendentë nga e gjithë bota, duke mundur kështu edhe japonezin Haruki Murakami, kanadezen Alice Munro, irlandezin John Banville dhe francezin Dominiqur Lapierre, të përfolur për këtë çmim. Ky çmim i rëndësishëm spanjoll pati jehonën e tij edhe në Shqipëri, pas vlerësimit të shkrimtarit Ismail Kadare në vitin 2009.
Vepra e Philip Roth ka një rol shumë të rëndësishëm në letërsinë e Amerikës së Veriut dhe është vazhduese e traditës së Dos Passos, Scott Fitzgerald, Hemingway, Faulkner, Bellow e Malamud, ka thënë presidenti i jurisë, Jose Manuel Blecua. I lindur në vitin 1933, me origjinë hebraike, Philip Roth është një shkrimtar me famë ndërkombëtare, shumë herë i përfolur për Nobelin, por edhe i kritikuar për ligjërimin e errët. Shkrimtari amerikan ka ardhur për lexuesin shqiptar përmes botimit të Skanderbeg Books. Një vit më parë, kjo shtëpi botuese ka botuar romanin e tij ‘Inati’, ‘Del Hija’, ‘Ankimi i Portnoit’ dhe së fundmi ‘Martesë me një komunist’ dhe ‘Përulja’. Vetë Roth, duke folur për çmimin Princi i Asturias, pasi kishte marrë vesh në qershor se ai është laureate I cmimit, ia ka dedikuar atë mikut të tij të ndjerë, shkrimtarit Carlos Fuentes, i ndarë vetëm pak javë më parë nga jeta. Fuentes ka qenë më parë fitues i këtij çmimi, i cili vitin e shkuar shkoi për këngëtarin kanadez dhe poetin Leonard Cohen.
“Është shumë prekës fakti që unë e mësoj marrjen e këtij çmimi vetëm pak javë pas vdekjes së Carlos Fuentes, i cili e ka marrë këtë çmim në vitin 1994. Carlos ishte një mik shumë i shtrenjtë i imi dhe një koleg shumë bujar për dekada dhe ishte padyshim romancieri më i mirë që shkruante spanjisht në vendin tonë. Do të doja të ishte gjallë, që të dëgjoja zërin e tij të ëmbël nga ana tjetër e telefonit, teksa më jepte urimet sipas mënyrës së tij”, ka theksuar Roth.
Philip Roth është tashmë një shkrimtar me famë ndërkombëtare, por edhe një karakter shumë i mbyllur. Daljet publike apo intervistat janë shumë të rralla dhe të gjithë gazetarët që kanë tentuar kontaktin me të, përshkruajnë një karakter të vështirë, të mbyllur dhe një njeri që thuajse nuk qesh kurrë. Gazetarët përshkruajnë një njeri të heshtur e të ftohtë, që përshkon rrugicën e shtëpisë së tij, vendosur në mes të një pylli në Konektikat, e jo rrallëherë misioni për intervista ka dështuar. Roth është rebeluar shpesh ndaj faktit që atë sot e cilësojnë si shkrimtari më i mirë hebre që është gjallë.
“Kjo gjë më inatos jashtë mase. Do të doja të më konsideronin si një prej shkrimtarëve më të mirë amerikanë në gjallje”, ka thënë ai në një prej intervistave të tij të shkurtra. I pyetur nëse ekziston apo jo letërsia hebreo-amerikane, ai përgjigjet: “Dallimet etnike sot cilësohen vetëm për oportunizëm. Çdo etni bëhet objekt studimi dhe çdo universitet që ka fonde promovon tribunë e vet. Kështu kemi letërsinë e zezë, letërsinë hispanike apo letërsinë e grave. Kjo është absurde. Ashtu siç është absurde të thuash për Don de Lillo se është shkrimtar italo-amerikan, John Updike një shkrimtar kristiano-amerikan, apo Saul Belloë një shkrimtar hebreo-amerikan”. Libri që i dha famë ishte së pari Ankimi i Portnoit i botuar më 1969-n, që u kritikua për përshkrimet seksuale dhe të masturbimit, e madje u quajt edhe skandaloz nga një pjesë e mirë e kritikës.
Shkrimtarit i shkon me këtë rast një shpërblim prej 50 mijë eurosh dhe një skulpturë e realizuar nga Joan Miro.