E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kleptomani Markeljan, shembulli i keq për moshatarët

Qindra vjedhje mbajnë autorësinë e tij, por mosha nuk e lejon policinë ta vërë në pranga. Mungojnë shkollat e riedukimit

Markeljan Cungu, minoreni me dy klasë shkollë, po kthehet në shembullin më të keq për bashkëmoshatarët. Media hedh në treg historitë e bëmave të vogëlushit, duke e bërë pa dashje edhe më të “famshëm”. Policia dokumenton veprat e tij penale, vjedhjet dhe kaq. Jo rrallë ai shihet me adhurim nga bashkëmoshatarët, që largqoftë nëse do të ndjekin shembullin e tij problemet do të jenë të mëdha. Uniformat blu, për sa kohë ai të konsiderohet i mitur, nuk kanë ç’t’i bëjnë, sepse nuk munden ta vënë në pranga. Ligji është i prerë në sjelljen e tyre në të tilla raste. Markeljani duhet të mbushë 14 vjeç dhe deri në mars të 2011-s ai është “lënë i lirë” të kryejë edhe vjedhje të tjera e policia të shënojë në kartelën e tij kriminale numrin e veprave penale që sa vjen e rritet. Rreth 560 herë i mituri është shoqëruar në polici, ndërsa rastet për të cilat është akuzuar kanë qenë edhe më shumë. Markeljani është bërë mjaft i njohur në komisariate, pasi shoqërohej shpesh që prej moshës 8-vjeçare. Për shkak të moshës, ai nuk është mbajtur asnjëherë i arrestuar dhe duket se ka përfituar edhe nga mungesa e shkollave të riedukimit. Pavarësisht se qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë për hapjen e këtyre shkollave, ende nuk është bërë asgjë. Ky është një nga rastet kur të miturit, më shpesh në kryeqytet, janë bërë një problem për rendin. Ata vazhdojnë të mbeten të lirë, por kjo liri ua ka rrezikuar në ndonjë rast edhe jetën, pasi kërkohen nga personat e dëmtuar që kanë ushtruar edhe dhunë mbi ta.

Ekspertët janë të mendimit se të miturit duhen trajtuar në qendra speciale, sepse vetëm nocioni i burgut i lodh dhe i streson, i mbyll në vetvete. Përvoja e shumë vendeve europiane tregon se këto shkolla janë shumë të përhapura. Madje, një përvojë shumë e mirë për krijimin e këtyre shkollave është Suedia, por nuk do të ishte keq të mësonim edhe nga përvoja e fqinjit tonë, Maqedonisë. Sipas specialistëve, për specifikën gjeografike të vendit tonë nuk është i nevojshëm krijimi i shkollave të mëdha të riedukimit, por të vogla dhe disa, për t’i shërbyer më mirë komunitetit.
Një prej drejtuesve të komisariateve të Policisë në Tiranë, me të drejtë shprehet se detyra e tyre mbaron deri te shoqërimi, ku i mituri Cungu tregon dy apo tri “bëma” dhe sapo lihet i lirë, vetëm gjatë rrugës për në shtëpi, kryen të tjera vjedhje. Sipas tij, Markeljani ka përfunduar nga një komisariat te tjetri, por vetëm kaq. “Sa e lë unë të lirë e shoqëron një koleg tjetër. Ne këtë punë bëjmë dhe kështu do të ndodhë deri sa ai të mbushë moshën. Pastaj do të përgjigjet për të gjitha veprat penale që ka kryer. Pamundësia për kontrollin e tij lidhet me faktin që ne nuk kemi shkolla riedukimi, të cilat do të ishin një hallkë shumë e rëndësishme për të ndihmuar në rehabilitimin e të miturve me probleme sjelljeje, apo konsumues të veprave penale. Po t’u referohemi eksperiencave të vendeve fqinje, Maqedonia e ka një institucion të tillë, ndërsa ne jo. E kemi ngritur zërin deri te Presidenti i Republikës. Gjithandej na është thënë se kemi të drejtë, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje për veprime konkrete. Atëherë lind pyetje se çfarë duhet të bëjmë ne, si t’i menaxhojmë këto raste, se ligji e përcakton qartë moshën kur personi mund të vihet nën arrest”, shprehet specialisti i policisë.

Rasti më i fundit i Markeljan Cungut, i njohur ndryshe edhe si “çengeli”, ishte ai i vjedhjes së banesës së një diplomateje në Tiranë. Policia tha zyrtarisht se ia vërtetoi këtë vepër penale, duke krahasuar gjurmët e tij me ato të gjetura në vendngjarje. Ndërsa mbi të rëndojnë një seri vjedhjesh, të kryera edhe në shtëpitë e zbatuesve të ligjit. Ky shembull i keq do të vazhdojë të jetë i pranishëm në media deri kur autoritetet shtetërore të kujtohen për të ndërtuar institucionin e riedukimit të të miturve që konsumojnë vepra penale, në pamundësi për t’i dërguar në qeli për shkak të moshës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›