Picasso dhe të tjerët në Tiranë
Pablo Picasso, Andy Warhol, Francesco Clemente, Francis Bacon Jean Michel Basquiat, Marc Chagall, Mario Sironi, Piet Mondrian, Rene Magritte, Sandro Chia etj., janë vetëm disa prej emrave të mëdhenj të artit pamor, të cilët do të ekspozohen për rreth dy muaj, duke filluar prej 21 prillit, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Për herë të parë publiku do të ketë mundësi të shikojë nga afër emrat e atyre që kanë lënë shenjë të jashtëzakonshme në zhvillimin e artit pamor ndërkombëtar. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, drejtori i GKA-së, Rubens Shima, shpjegon rëndësinë e kësaj ekspozite të veçantë të përbërë prej 71 veprash me vlera të jashtëzakonshme artistike, historike, por edhe financiare. Ato janë pjesë e koleksionit privat të koleksionistit italian, Francesco Martani, dhe vijnë në Shqipëri në kuadër të veprimtarive të stinës shqiptaro-italiane, “Dy popuj, një det, një miqësi”.
Në GKA pritet të çelet një ekspozitë shumë e rëndësishme, e para në llojin e saj për sa u përket veprave që do të ekspozohen. Ato mbajnë firmën e disa prej autorëve më të mëdhenj të artit pamor botëror. Kujt i përkasin këto vepra dhe çfarë përfaqësojnë?
Veprat janë pjesë e koleksionit privat të italianit Francesco Martani. Zotëria është një figurë poliedrike, mjek, artist, koleksionist pasionant, i cili gjithë jetën i është kushtuar koleksionit të veprave të artit. Në Galerinë e Arteve do të ekspozohen gjithsej 71 vepra, të cilat mund të konsiderohen vetëm një kampion i koleksionit të tij, duke pasur parasysh se Martani prej dekadash i është kushtuar koleksionimit të këtyre veprave të artit. Për publikun, në këtë ekspozitë do të paraqitet vetëm një përzgjedhje e thjeshtuar e veprave të artit që ekzistonin në dy muzetë privatë të këtij koleksionisti.
Si lindi ideja për ekspozimin e një pjese të këtij koleksioni në Shqipëri?
Bëhet fjalë për një projekt të nisur në krye të herës prej Galerisë Kombëtare të Arteve. Por duke qenë se projekti u përfshi në veprimtaritë e stinës shqiptaro-italiane, “Dy popuj, një det, një miqësi”, dhe tashmë është pjesë e tij, mund të konsiderohet si aktiviteti më kulmor që përmban kjo axhendë.
Atëherë edhe autorët e këtyre veprave janë italianë, apo keni preferuar ta zgjeroni më tej gamën e tyre?
Kërkesa e GKA-së ishte që në këtë ekspozitë të mos ishin vetëm autorët italianë. Ne kishim dëshirë që të paraqitnim një koleksion gjerësisht të prezantuar në galeri për faktin e thjeshtë se ky koleksioni privat i Francesco Martanit ishte shumë i pasur me emrat më të mëdhenj e më të rëndësishëm të artit modern përgjatë shekullit XX. Kemi të bëjmë me një ekspozitë ku për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve shfaqen për publikun emra të mëdhenj si Pablo Picasso, Andy Warhol, Francesco Clemente, Francis Bacon Jean Michel Basquiat, Marc Chagall, Mario Sironi, Piet Mondrian, Rene Magritte, Sandro Chia, Lucio Fontana, Giorgio De Chirico, Jannis Kounellis etj. Kryesisht, ata janë emra që përkojnë me eksperimentet e rëndësishme dhe tendencat kryesore të artit në shekullin që kemi lënë pas. Ata janë logo të artit modern. Më në fund, publiku shqiptar do t’i shikojë nga afër veprat e tyre dhe do të përjetojë një përvojë të drejtpërdrejtë dhe emocionuese. Kuptohet që ekspozimi i veprave kërkon edhe një informacion paraprak mbi këta autorë të rëndësishëm të shekullit XX. Përveç faktit që ata mund të njihen në publik thjesht si emra, mendoj se ka nevojë të sqarohet dhe të jepen njohuri paraprake mbi qëndrimin artistik të tyre. Pra, ekspozita që do të hapet më 21 prill, do të shoqërohet edhe me katalog.
Kemi autorë italianë dhe ndërkombëtarë. Do të jenë të ekspozuar në një seksion, apo të ndarë?
Në të vërtetë kemi të bëjmë me dy ekspozita të ndara në dy seksione. Seksioni i parë quhet “Shkëlqime klasike” dhe janë vepra shumë të rëndësishme që fillojnë nga shekulli XVI e deri në shekullin XVII. Në këtë seksion do të ekspozohen një grup i vogël artistësh italianë, me rreth 21 vepra të një rëndësie të jashtëzakonshme. Këtu kemi të bëjmë me periudhën klasike të artit dhe një periudhë e tillë nuk është ekspozuar asnjëherë në trevat shqiptare. Ne nuk kemi pasur asnjëherë një lloj komunikimi të drejtpërdrejtë ose përfshirje të institucioneve të tjera jashtë galerisë, për të sjellë koleksione të kësaj periudhe. Ndoshta sepse këto janë edhe koleksionet më delikate për faktin e thjeshtë se kushtet e ekspozimit, shoku klimatik, mbajtja e temperaturave të qëndrueshme, siguria e tyre, janë shumë strikte. Edhe këtu kemi të bëjmë me një përzgjedhje të thjeshtuar, ku spikatin emra shumë të rëndësishëm të kësaj periudhe, siç është Anibale Carracci apo Guido Reni. Seksioni i dytë do të jetë ekspozita e artistëve të shekullit XX, që do të vijë me emrin “Atmosfera të shekullit XX”.
Ku do të vendosen veprat? Cilën hapësirë të GKA-së do të zënë?
Ekspozita, e cila do të paraqitet në katin e dytë të galerisë, do të zërë vend në sallën e parë, për të vazhduar më tej në pjesën ku kanë qenë veprat e realizmit socialist dhe ku ka qenë piktura formaliste e realizmit socialist. Gjithë kjo hapësirë, pa kaluar në katin e tretë, do të përmbajë këto dy ekspozita, ku një pjesë e veprave janë të dimensioneve të mëdha. Me këtë rast linja muzeale e ekspozuar deri më tani është lëvizur e gjitha dhe do të qëndrojë e mbyllur për dy muaj e gjysmë, për t’u kthyer sërish në funksion pas mbylljes së kësaj ekspozite. Veprat do të vijnë nesër në galeri dhe koha deri në hapjen e ekspozitës do të jetë në funksion të rregullimit të veprave në sallën ekspozuese dhe ambientimin e tyre me klimën e galerisë.
A do të ketë masa sigurie tej normales?
Patjetër do të ketë masa të forta sigurie, pasi kemi dy kontingjente veprash dhe ajo çfarë kanë të përbashkët është vlera e tyre e jashtëzakonshme artistike dhe historike, pa përmendur vlerat e mëdha financiare. Galeria, me infrastrukturën që ka, mund të përballojë ekspozimin e veprave dhe ruajtjen e tyre në kushte optimale. Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Brendshme përforcim përgjatë kohës që kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur, gjithashtu edhe policisë private që ruan objektin tonë, për të vendosur në dispozicion një patrullë brenda hapësirave të galerisë.
#