Xhaferraj: Më shumë nisma për të promovuar kulturën rome
Të ftuar në këtë aktivitet ishin përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si edhe të shoqërisë civile. Aktiviteti konsistoi në hapjen e një ekspozite, në të cilën pati eksponate të ndryshme, objekte artizanati të këtij komuniteti etj. Në fjalën e tij ministri z. Ferdinand Xhaferraj u shpreh se Ministria e Kulturës i shërben komunitetit rom, duke shpallur dhe në ambientet e saj nisjen e disa aktiviteteve në kuadrin e Ditëve te Kulturës së minoritetit Rom në Shqipëri. Ne jemi shumë të kënaqur dhe të nderuar që hapësirat e kësaj godine qeveritare do të përdoren për disa ditë me radhë për të ekspozuar veshje tipike tradicionale rome, si edhe aspekte të tjera që portretizojnë këtë kulturë. Këto aktivitete do të kulmojnë me datë 8 prill, që është edhe Dita Ndërkombëtare e Romëve, me koncertin e madh festiv që do të mbahet tek Cirku i Tiranës. Pra, duket qarte se këto aktivitete organizohen në kuadrin e angazhimeve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për integrimin e minoriteteve dhe minoritetit rom në veçanti, theksoi ministri Xhaferraj. Në zbatim të Konventës për respektimin e të drejtave të minoriteteve, afro dy vite më parë, pikërisht në 8 prill të vitit 2008, me VKM-në 437, qeveria shqiptare, e anëtarësoi Shqipërinë me të drejta të plota në Dekadën e Përfshirjes së Romëve. Kjo politikë ka si qëllim themelor të vendosë harmoninë sociale, duke mundësuar edhe përfshirjen social-ekonomike të minoritetit rom në shoqërinë shqiptare, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e tij kulturore dhe linguistike. Ndërkaq, që në Ministrinë e Kulturës prej disa muajsh, është ngritur Sektori i Kulturës së Diasporës dhe Minoriteteve, i cili gjatë muajve të fundit ka zhvilluar një sërë takimesh, në të gjithë vendin, me përfaqësues të minoriteteve që jetojnë në vendin tonë. Ne duhet te jemi edhe me të kujdesshëm kundrejt minoritetit rom, për të përkrahur më shume nisma dhe iniciativa, të cilët promovojnë kulturën e këtij minoriteti, vijoi më tej ministri Xhaferraj. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i angazhimeve të Këshillit të Ministrave për përfshirjen sociale dhe integrimin e minoritetit rom, si edhe promovimi i kontributit unik të këtij komuniteti në jetën kulturore shqiptare. Ky aktivitet u shoqërua edhe me performanca muzikore të luajtura nga muzikantë rom.
Last Updated on E Marte, 06 Prill 2010 20:01