E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë ditë me kryevepra të muzikës klasike, në Tirana Music Festival

Edicioni i 5 i festivalit të muzikës klasike për të rinj, nga data 22 deri në 29 prill në Tiranë


Nga data 22 deri në 29 prill Tirana do të mirëpresë edicioni e 5-të të Tirana Music Festival. Tetë ditë mbushur me koncerte e masterklas perfeksionimi për muzikantët e rinj shqiptarë, të cilët mund të zhvillojnë talentin e tyre nën drejtimin e mjeshtrave të shquar italianë. Festivali u ideua nga Piero Vincenti, klarinetist me famë botërore, docent, themelues e president

aktual i Accademia Musicale Internazionale dhe pianistja e njohur shqiptare Marsida Koni, ku krahas koncerteve anembanë botës, zhvillon dhe aktivitet didaktik. Tirana Music Festival ndahet në një pjesë mësimore për artistët e rinj dhe një sërë koncertesh të ideuar për të kënaqur qytetarët e Tiranës dhe të huajt e shumtë. Pjesa kushtuar artistëve të rinj përbëhet nga masterklas të perfeksionimit të lartë të hapura gratis për muzikantët e rinj shqiptar, maqedonas, kosovarë e malazezë, me pagesë frekuentimi për muzikantët italianë apo të ardhur nga vende të tjera të botës, të cilët dëshirojnë të perfeksionohen me mjeshtra të mëdhenj e të shkëmbejnë eksperienca të reja muzikore. Katër edicionet e para kanë shënuar pjesëmarrjen e mbi 600 studentëve. Masterklaset zhvillohen nga 22 deri në 29 prill pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, në piano nën drejtimin e Michele Rossettit, në kitar me Giorgio Albianin dhe në klarinetë e muzikë dhome me Piero Vincentin. Gjatë mbrëmjeve të 25 e 27 prillit studentët do të kenë mundësinë ti tregojnë publikut atë çkanë mësuar gjatë kurseve, duke dhënë dy koncerte që nisin në ora 19.00, pranë sallës Zadeja të Akademisë së Arteve. Meqenëse një nga qëllimet e Tirana Music Festival është ti japë muzikantëve të rinj shqiptar mundësinë për tu vlerësuar edhe jashtë Shqipërisë, gjatë mbrëmjeve të 25 e 27 prillit do të komunikohen edhe emrat e fituesve të bursave të studimit pranë Accademia Musicale Internazionale gjatë vitit 2011, me një vlerë rreth 2.000 euro secila, ndërkohë që gjatë 4 edicioneve të para janë dhënë rreth 60 bursa studimi. Të bindur se muzika nuk ka kufij, Piero Vincenti e Marsida Koni ideuan në vitin 2006 festivalin Tirana Music Festival, me qëllim konsolidimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë (Accademia Musicale Internazionale ka ftuar në Itali orkestrën e parë shqiptare në vitin 1994) dhe promovimin e imazhit të një Shqipërie turistike jashtë kufijve kombëtar. Për realizimin e këtyre synimeve, Accademia Musicale Internazionale, promovuese e aktivitetit, gëzon mbështetjen e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, Ambasadës së Italisë, Institutit Italian të Kulturës, Ministrisë shqiptare të Kulturës, Teatrit të Operës dhe Baletit, Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit dhe enteve të tjera si Regione Umbria etj.


Tirana Music Festival, një vit më parë
Tirana Music Festival i cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore shqiptare, ai solli për disa ditë një larmi koncertesh për publikun. Në përfundim të tij tre studentët më të mirë të Akademisë së Arteve u shpërblyen me bursa studimi. Studentët Ledian Semini në kitarë, Fjorda Veizaj në piano dhe Edison Zurbo në klarinetë shfrytëzuan bursat e studimit për tre muaj në Perugia, (Itali) pas përzgjedhjes nga një juri e përbërë nga Luigi Tangalleri në piano, Claudio Piastra në kitarë dhe Piero Vincenti në klarinetë. Në koncertin final të festivalit Tirana Music Festival 2009 në Akademinë e Arteve interpretuan pjesëmarrësit më të mirë të master-klasave si: Era Çaushi, Ledian Semini, Fjorda Veizaj, Alfred Bushi, Iona Karasani, Klaudia Mehilli, Ali Nerjaku, Edison Zurbo, etj, që luajtën në piano, kitarë dhe klarinetë pjesë nga Brahms, Chopin, Mozart, Milde, Mendelssohn, Albeniz dhe Turina. Gjatë ditëve të zhvillimit të tij, studentët e Akademisë së Arteve dhe Liceut Artistik Jordan Misja u bënë pjesë e festivalit në koncertet që nisën në datën 24  prill në TKOB, në 26 dhe 27 prill në sallën Çesk Zadeja, për të përfunduar mbrëmë në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Festivali ashtu si edhe vitin e kaluar kishte drejtore artistike Marsida Konin dhe president z. Piero Vincentin, i cili gjatë qëndrimit të tij në Tiranë është shprehur se nga viti në vit ka pasur përmirësim, interes më të madh dhe nivel më të lartë të pjesëmarrësve në këtë festival dhe sipas tij ky aktivitet shërben dhe për tu dhënë mundësi talenteve të reja, që të ecin në karrierën e tyre artistike.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Marte, 06 Prill 2010 19:58

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›