Piccolo me ‘Panic box’
Ditën e hënë më 5 shtator, ora 20:00 Tirana Art Center në bashkëpunim me Tirana Ekspres prezanton projektin zanor “Panic Box” të artistit amerikan Steve Piccolo.
“Panic Box” konsiston në një projekt specifik në të cilin spektatori bëhet pjesë kryesore e procesit. Ky instalacion në vetvete është një regjistrator i vjetër me kaseta i cili do të instalohet brenda hapësirës së Tirana Ekspres.
Publiku do të relacionohet me regjistratorin një e nga një ose dy e nga dy, ndërkohë që kaseta vazhdon të regjistrojë në stereo. Spektatori afrohet tek stereo që është duke regjistruar ndërkohë dhe është i lirë të manifestojë çdo lloj zhurme. Të flasë, të fishkëllejë, të këndojë, të recitojë, të bëjë zhurma nga më të ndryshmet.
Përgjatë dy orëve të inaugurimit çdo spektator është i ftuar të marrë pjesë në performancë dhe të lerë mesazhin e vet në regjistrator. Ky është një projekt që Steve Piccolo e zhvillon prej vitesh, ku pas çdo performance pjesët zanore të kasetave transferohen në mp3, duke i miksuar ato dhe realizuar pjesë krejtësisht të reja.
Steve Piccolo ka lindur në USA. Është diplomuar në Bard College, New York University. E fillon karrierën më 1970 duke luajtur jazz në grupe të ndryshme në New York dhe realizon performanca zanore në hapësira të ndryshme po në New York.