Pikë-kalimi i ri kufitar Tropojë- Mali i Zi, së shpejti

Pikë-kalimi i ri kufitar Qerem(Tropojë)-Plavë(Mali i Zi), do të hapet së shpejti. Hapjes së këtij vend-kalimi kufitar, i ka paraprirë një takim i zhvilluar në qytetin e Plavës mes delegacioneve të policisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi.
Ky është takimi i dytë i zhvilluar mes dy policive pas atij të realizuar në Podgoricë në korrik të vitit të kaluar dhe që kishte për objekt diskutimi, hapjen e vend-kalimit të ri kufitar Qerem-Plavë.
Kryetari i komunes së Margegajve në rrethin e Tropojës, Rexhë Biberaj, deklaron se infrastruktura rrugore në dispozicion të këtij vend-kalimi kufitar është e gatshme, nderkohë që me fondet e KE-së për marrëdhëniet ndërkufitare, kjo rrugë do të përmirësohet edhe më tej si në ndërtimin e disa veprave të artit dhe eleminimin e shembjeve të krijuara nga reshjet e shumta të dy viteve të fundit. Rruga nga Kthesa e Qeremit deri në Qafë-Vranicë, ka filluar që në vitin 2005. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 7 kilometër dhe në bazë të projektit ka një kosto prej 1.6 milion euro. Kryekomunari i Margegajve ka theksuar rëndësinë e madhe që ka hapja e kësaj pike të re të kalimit kufitar për banorët e komunës së thellë të Margegajve, për Tropojën, por edhe për mbarë Malësinë e Gjakovës.