Kapet në Bulqizë vrasësi i Librazhdit
Goditi të ëmën me sëpatë
Haki Miskja u kap pa bërë rezistencë në një ndërtesë të braktisur në fshatin Ostren
Librazhd - Kapet në një godinë të braktisur në afërsi të Bulqizës vrasësi i Librazhdit. Haki Miskja u kap dje nga forcat e policisë së Bulqizës në bashkëpunim me policinë e Elbasanit në një banesë të braktisur në fshatin Ostren të Dibrës. Burime policore bënë të ditur se zbulimi u vrasësit u realizua në sajë të hetimeve intensive dhe kërkimeve pa ndërprerje që u kryen në të gjithë zonën. Një ndihmesë të madhe dhanë edhe banorët e fshatit Ostren të cilët sinjalizuan policinë se një i panjohur po lëvizte në fshatin e tyre. Pas vrasjes me sëpatë të nënës së tij Dije Miskja 70 vjeç, 50-vjeçari është larguar nga Librazhdi për tu strehuar në një shtëpi të braktisur në këtë fshat. Aty, për ti shpëtuar të ftohtit, ndizte zjarr dhe për të mbijetuar ka blerë ushqime në dyqanet përreth zonës. Prania e një personi të dyshimtë ka bërë që banorët të sinjalizojnë policinë. Pas një pune hetuese, agjentët kanë përcaktuar se autori ishte Haki Miskja i cili disa ditë më parë masakroi me sëpatë nënën e tij Dije Miskja dhe plagosi vajzën Besiana Miskja. Të dielën në mëngjes është planifikuar edhe aksioni për kapjen e tij. Haki Miskja nuk ka bërë rezistencë. Ai i është dorëzuar policisë pa ju kundërvënë asaj. Sipas të dhënave rezulton se Haki Miskja është autor i vrasjes së bashkëshortes së tij Suzana Miskja 10 vjet më parë. Pas vrasjes, trupi i saj është zhdukur në mënyrë misterioze dhe nuk është gjendur ende. Por policia dyshon se Haki Miskja është edhe autor i disa veprave të tjera kriminale. Gjithçka pritet të zbardhet gjatë marrjes në pyetje të autorit nga grupi hetimor. Pas kapjes në Ostren, Haki Miskja është shoqëruar për në dhomat e paraburgimit në Elbasan. Me kapjen e tij merr fund edhe ankthi i banorëve të fshatit Pervall dhe fshatrave përreth të cilët ishin të tmerruar nga vrasjet që kryente Haki Miskja.
M.Kalaja
Athinë
Arrestohet ish-polici grek
abuzonte me fëmijë shqiptarë
I detyronte të shihnin materiale pornografike, pastaj kryente me ta vepra të turpshme dhe ushtronte terror psikologjik në mënyrë që të mos tregonin në familje
Lidhja
47-vjeçari i “peshkonte” fëmijët shqiptarë, që të gjithë nxënës në shkollat shtetërore greke të ciklit të ulët, duke i zënë “miq” ata në një internet-cafe e cila ndodhet në zonën e Kato Patision ku edhe banonte pedofili
Athinë – Për shumëkënd në Greqi sot është festa e Shën Valentinit kurse për një pedofil pervers grek në Athinë, është fundi i abuzimit të tij me plot 12 fëmijë shqiptarë, ndërsa hetimet vazhdojnë dhe për shfrytëzimin edhe të disa të tjerëve. Ngjarja që ka tronditur opsionin grek në kryeqytetin Athinë, ka precipituar për tre vjet rresht në rajonin Kato Patision, ku dhe 47 – vjeçari grek, një ish-polic emri i të cilit nuk u bë publik nga zyrtarët e policisë, u arrestua për katër akuza fillestare dhe dyshime për disa të tjera.
“Shtetasi grek 47-vjeçar akuzohet se në periudhë të vazhdueshme disa mujore, ka abuzuar me fëmijë shqiptarë të moshës nga 13 deri në 16 vjeç të cilët i detyronte të shihnin materiale me përmbajtje pornografike dhe më tej kryente me to vepra të turpshme dhe ushtronte terror psikologjik në mënyrë që ata të mos tregonin ato që ndodhnin dhe njëkohësisht u jepte sasi të hollash dhe sende e shërbime të tjera”, bënë të ditur sot burime zyrtare nga Policia e Greqisë.
Oficerët e Nën-Divizioni për Mbrojtjen e Fëmijëve në Policinë e Greqisë në Athinë, konfirmuan se ish-polici 47-vjeçar përballet aktualisht me akuzat e “shfrytëzimit dhe fyerjes së dinjitetit seksual”, “pornografinë e fëmijëve”, "korruptimin e të miturve për qëllime homoseksuale” dhe "abuzim seksual me të mitur”. Nga hetimi, doli se 47-vjeçari i “peshkonte” fëmijët shqiptarë, që të gjithë nxënës në shkollat shtetërore greke të ciklit të ulët, duke i zënë “miq” ata në një internet-cafe e cila ndodhet në zonën e Kato Patision ku edhe banonin pedofili dhe të vegjlit shqiptarë me familjet e tyre.
“Në shënjestrën e 47-vjeçarit, ishin vetëm djem shqiptarë të mitur të cilët pasi zinte miqësi në internet-cafe, arrinte t’i mashtronte duke u dhënë abonim falas për periudha të ndryshme kohore në qendrën e internetit dhe më pas i ftonte në shtëpinë e tij aty afër dhe vinte në zbatim planin pervers”, detajuan për agjencinë NOA, burime nga Policia e Sektorit për Mbrojtjen e të Miturve në Policinë e Greqisë që po i vazhdojnë hetimet.
Pasi i fuste në shtëpi dhe kishte fituar besimin e tyre, 47-vjeçari u servirte përmes televizorit, DVD me përmbajtje të fortë pornografike dhe në këtë fazë, shfrytëzonte trupin e djemve shqiptarë, duke abuzuar me ata seksualisht, duke kryer vepra të turpshme dhe marrëdhënie homoseksuale me ta, - bëhet e ditur gjithashtu nga hetimi policor.
Sakaq policia bën të ditur dhe detaje të tjera: Plot 14 vjet më parë, në vitin 1996, i dyshuari i arrestuar dje në Athinë, atëherë vetëm 33 vjeç, është larguar nga radhët e policisë në Janinë, pikërisht nën dyshimet për akte pedofilie që atëherë nuk përfunduan me dërgimin e ndonjë dosjeje penale në gjykatë.
Krahas këtyre akteve perverse, 47-vjeçari nuk mjaftohej me kaq. Policia e krimit elektronik zbuloi se ai kishte krijuar profilet në faqet e rrjeteve sociale si Facebook dhe duke folur me përdoruesit e mitur, krijonte njohje me ta dhe pasi fitonte besimin e tyre, i ftonte në shtëpi për të abuzuar seksualisht. Ndërkohë në kompjuterët e tij, policia zbuloi shumë materiale pornografike me bazë fëmijët. Policia tha se hetimi nisi pak javë më parë, kur një qytetar grek, banor i zonës së Kato Patision në Athinë, denoncoi se shihte 47-vjeçarin në Internet kafe të qëndronte dhe bisedonte vazhdimisht me djem të mitur.
Policia ka filluar kërkimin dhe këtë herë më e vendosur më në fund e arrestoi dhe dje pasdite prokuroria çoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës dosjen me akuzat ndaj ish-policit, të cilit iu dha masa e sigurisë së arrestit me burg. Nga ana tjetër, hetimi po vazhdon për të identifikuar dhe djem të tjerë shqiptarë që dyshohet të jenë shfrytëzuar nga pedofili që dikur mbante uniformën e policisë.
NOA
Vlorë
Gjendet i djegur 70-vjeçari i vetmuar
Vlorë - Një 70-vjeçar, banues në qytetin e Vlorës është gjendur i vdekur pa shkrumbimit të banesës së tij në lagjen “Isa Boletini”. Haxhi Myftari banonte vetëm, pas humbjes pak muaj më parë të bashkëshortes së tij, dhe largimit të djalit të vetëm në emigracion. Ai banonte në katin e katërt, të një pallati 6-katësh.
Pasi kanë nisur flakët, i moshuari ka tentuar të dalë nga banesa, por e kanë lënë fuqitë. Ai ka pasur djegie të shkallës së tretë në 80% të trupit, ndërkohë që vdekjen ja ka shkaktuar asfiksia. Kanë qenë fqinjët që kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësen të cilat menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje, por ka qenë e kotë, pasi i moshuari kishte ndërruar jetë.
Sipas ekspertëve, shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një cigare e ndezur, e cila më pas i ka vënë flakën banesës, një dhomë e së cilës është dëmtuar pjesërisht nga flakët. Trupi i pajetë i 70-vjeçarit është çuar në morgun e spitalit, në pritje për t’u tërhequr nga familjarët.
J.Xh.
Gjirokastër
Mashtronte barinjtë, ndalohet tregtari i rremë
Gjirokastër - Efektivat e policisë në Gjirokastër kanë ndaluar një mashtrues i cili pasi iu merrte bagëtitë barinjve për ti tregëtuar nuk iu jipte lekët. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, 36 vjeçari Shkëlqim Maluka nga Tirana, është ndaluar nga specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko Financiar, pasi prej tetorit 2009 ishte shpallur person në kërkim për veprën penale të “mashtrimit”. Në 26 tetor 2009, gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër , ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Kanë qenë disa barinj të zonës së Gjirokastrës të cilët e kanë denocuar të ndaluarin se iu kishte marrë bagëtitë me premtimin se pasi ti tregëtonte do t’iu jipte lekët. “Megjithëse kishin kaluar disa muaj ai nuk po na jipte lekët për bagëtitë”, i kanë pohuar barinjtë policisë lokale. Materialet në ngarkim të Sh.Malukës i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme.
B.Sh.