E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikët minimale sipas fazave të pranimit

07/07/2009  Përzgjedhja e kandidatëve fitues për në universitete do të realizohet në më shumë se dy faza

Maturantët, duhet të konsultohen me këtë listë para përcaktimit të 10 preferencave

Pranimet në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të zhvillohen në disa faza seleksionimi, bazuar në kufirin minimal të pikëve të arritura nga kandidatët për secilën fazë. Për të mos rënë pre e zgjedhjeve të gabuara, specialistët këshillojnë që maturantët të bëjnë kujdes në përcaktimin e programeve studimore nga preferenca më e lartë deri tek ajo më pak e pëlqyera. Kjo veçanërisht për ato degë që rezultojnë të kenë numrin më të madh të kërkesave nga kandidatët që tashmë kanë aplikuar. Më poshtë do të publikojmë listën e pikëve minimale të arritura nga kandidatët e shpallur fitues për të tri fazat e pranimeve për secilën nga programet e studimit që ofrojnë universitetet publike në vend. Në këtë mënyrë vetë kandidatët mund të bëjnë një bilanc të mundësive që kanë për të fituar një nga degët që preferojnë. Megjithatë, duhen edhe pak ditë nga mbyllja e afatit zyrtar për dorëzimin e formularit A-2, por tashmë të plotësuar. Specialistët pohojnë: “Para se të plotësoni preferencat, konsultohuni me familjen, diskutoni me të afërmit dhe nga lista që formuat me shënimet që mbajtët më sipër, formoni një listë, ku programet e studimit t’i renditni sipas preferencave. I pari do të jetë programi i studimit që preferoni më shumë, i dyti ai që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është preferenca 1. Kjo për arsye se mbi bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën 10. Shpalleni fitues nëse keni mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera.

Kujdes!

“Ky formular mund dhe duhet të fotokopjohet nga nxënësit për t’u ushtruar në plotësimin e saktë të tij, por do të dorëzohet origjinali i plotësuar, pasi fotokopja është e pavlefshme. Leximi i formularit do të bëhet në mënyrë elektronike. Maturantë, kujdes në plotësimin e saktë të formularit A-2! Studiojeni, konsultohuni, provoni në fotokopje dhe vetëm pasi të jeni të bindur, plotësoni origjinalin. Ju do të shpalleni fitues vetëm në një program studimi dhe programin e studimit tuaj të preferuar e përcaktoni me plotësimin e saktë të formularit A-2. Lexoni me kujdes këto udhëzime”, - pohohet nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit.

Programet

Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Një kandidat mund ta shohë veten në fillim të listës në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë. Vetëm pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave nga 1-10 mund të uleni për të plotësuar formularin A-2.

Fituesit

Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime në institucionet e arsimit të lartë do të bazohet në sistemin meritë–preferencë. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe provimeve të Maturës Shtetërore, ndërsa parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatit, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tij.

Diferencimet

Për programet e Akademisë së Arteve, Edukimit Fizik në kryeqytet, të Universitetit të Shkodrës e të Elbasanit për programin e studimit “Arkitekturë” në UP si dhe për programin “Pedagogji e specializuar” në Vlorë merren parasysh edhe rezultatet e konkurseve të pranimit. Për të gjitha këto programe, me përjashtim të degës në Vlorë, nuk merren në konsideratë rezultatet e provimeve me zgjedhje.

Dorëzimi i formularit A-2

• Për secilën shkollë formulari A-2 është shoqëruar me tabelën ku në krah të çdo ID është regjistruar emri, atësia dhe mbiemri i nxënësit, klasa dhe dy kolona. Nxënësi firmos kur merr formularin A-2 dhe mësuesi firmos kur merr nga nxënësi formularin A-2 të plotësuar pa gabime dhe korrigjime.

• Tabela origjinale, e plotësuar në këtë mënyrë, dorëzohet bashkë me formularët A-2 të plotësuar në APRIAL. Fotokopja e tabelës ruhet në shkollë.

• Nxënësit duhet të fotokopjojnë formularin A-2 të plotësuar dhe ta ruajnë për çdo kërkesë që mund t’i duhet.

Pikët për konkursin

65 për qind të pikëve ka gjithsej konkursi

25 për qind për vizatimin e një objekti arkitektonik

20 për qind për vizatimin teknik

20 për qind për kompozimin arkitektonik

Nota mesatare

Për të fituar të drejtën e pranimit në universitetet e Shqipërisë, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta duhet të plotësojë formularin A-2, origjinal. Nota mesatare është nota e katër ose pesë vjetve të studimit. Është nota që vendoset në dëftesën e pjekurisë për maturantët e këtij viti shkollor. Për nxënësit që kanë mbaruar vitet e kaluara shkollore (2006–2007, 2007–2008), do të merret nota mesatare e shënuar në dëftesë. Ndërsa për nxënësit që kanë mbaruar para vitit 2007, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë vjetve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Në shkolla janë dëftesat origjinale për ata që kanë plotësuar formularin A-1, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e notës mesatare.

Sipas hartuesve të Maturës, nxënësi duhet të vihet në dijeni të notës mesatare, që do të vendoset në formularin A-2 të tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›