E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikniku, humbasin tre gjimnazistë në Dajt

Tre gjimnazistët kishin ardhur nga rruga "Komuna e Parisit" për një piknik në Dajt. Katër orë më pas, gjimnazistët e kanë parë veten të humbur mes shkurreve dhe pemëve. Gjimnazistët i kanë telefonuar sallës operative të policisë së Tiranës 

TIRANE- Shërbimet e Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës "shpëtojnë" tre gjimnazistët që humbën në pyjet e Dajtit pasditen e së shtunës. Tre gjimnazistët kishin ardhur nga rruga "Komuna e Parisit" për një piknik në Dajt, ndërsa kishin nisur t'i ngjiteshin malit rreth orës 10:00 të paradites nga krahu i Tufinës. Katër orë më pas, gjimnazistët e kanë parë veten të humbur mes shkurreve dhe pemëve. Në pamundësi për të gjetur ndonjë banor apo çoban që t'i tregonte rrugën e daljes, gjimnazistët i kanë telefonuar sallës operative të policisë së Tiranës me celular nëpërmjet numrit pa pagesë 129. Me të marrë sinjalizimin përkatës, shërbimet e Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës kanë nisur kërkimet për lokalizimin, gjetjen dhe nxjerrjen e gjimnazistëve. Afrimi i natës i vështirësonte mjaft kërkimet dhe gjendjen e vet gjimnazistëve për shkak të të ftohtit. Gjimnazistët kanë mundur të gjejnë një shtyllë të teleferikut dhe aty kanë pritur derisa kanë mbërritur shërbimet e policisë. Adoleshentët janë nxjerrë në këmbë për rreth dy orë deri në rrugën më të afërt, ku janë marrë nga makinat e policisë. Gjimnazistët janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, ndonëse ishin në kushtet e një ankthi të krijuar për shkak të humbjes në pyll. Policia u ka marrë nga një deklaratë rreth ngjarjes dhe i ka dorëzuar te prindërit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›