E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, brenda 2-3 muajve do marre 24 vendime

Në këtë periudhë, ky institucion do të miratojë po ashtu modelin e listës shumë-emërore të kandidatëve për deputet, si dhe do të nxjerrë udhëzimin për rregullat e verifikimin e dokumentacionit të kandidimit 

TIRANE-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, referuar planit orientues të veprimeve ka përcaktuar se 2-3 muaj para datës së zgjedhjeve (mars-prill) do të marrë 24 vendime, mes të cilave veçojmë fillimisht botimin në faqen zyrtare në internet të listës paraprake dhe atë përfundimtare të votuesve. Në këtë periudhë, ky institucion do të miratojë po ashtu modelin e listës shumë-emërore të kandidatëve për deputet, si dhe do të nxjerrë udhëzimin për rregullat e verifikimin e dokumentacionit të kandidimit. Një vendim i rëndësishëm që pritet të merret nga KQZ-ja gjatë këtij muaji, lidhet me transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit e që ka të bëjë pikërisht me vendimin për administrimin e këtij procesi nëpërmjet regjistrimit me kamera dhe afishimit në ekrane të mënyrës së numërimit të votave. Ndërkohë rreth 100 ditë para 28 qershorit, KQZ ka planifikuar të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me institucionet që do marrin pjesë në procesin e organizimit të zgjedhjeve, sikundër janë policia, ushtria etj. Ndërkaq 2 muaj para ditës së zgjedhjeve, KQZ do të marrë 21 vendime, mes të cilave më kryesoret kanë për të qenë ato për regjistrimin e partive politike ose koalicioneve parazgjedhore në garën elektorale, udhëzimi për shpërndarjen në adresë të tyre të fondeve publike si dhe vendimi për modelet e dokumentacioneve që do të përdorin komisionet lokale të qendrave të votimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›