E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta e Filit: dy punë, dy fëmijë, një burrë dhe asnjë votë

PORTRETE GRASH Marrëdhënien me bashkëshortin e sheh si të barabartë. “Më përpara më tradhtonte dhe unë e toleroja. Për të nxjerrë inatin, ndonjëherë ka pasur momente që ia kam kujtuar. Jo se është i dhunshëm, por ashtu si të gjithë meshkujt shqiptarë...

Jonida Balla / Malvina Tema

Historia e zakonshme dhe e vërteta e Filit

E takuam Filin ditën e përvjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Pranoi të intervistohej, por vetëm pasi të mbaronte orarin e punës në një prej bareve të Bllokut. Ka edhe një punë të dytë. Gjithashtu në një bar. Ajo është nga Tirana; nuk i ka mbushur të pesëdhjetat dhe ka dy fëmijë. Më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar nën regjimin komunist dhe me nostalgji tregon për atë kohë. Ka mbetur jetime fare e vogël dhe ndoshta ky fat i ka paracaktuar dhe ngjarjet e mëvonshme duke ia bërë jetën më të vështirë, por në të njëjtën kohë tregon se kjo e ka bërë dhe më të fortë. Jeta familjare ka qenë e vështirë për të, pasi babai u martua përsëri dhe asaj iu desh që të jetonte me njerkë në shtëpi. Pranon që ka marrëdhënie të mira me njerkën, por nëna ka dhimbsuri tjetër. Sidoqoftë, shprehet se ‘unë jam e fortë dhe i përballoj gjërat’. Jeta e ka bërë më të durueshme dhe ky shndërrohet në sloganin e saj të përsëritur gjatë gjithë bisedës. Pasi kreu një shkollë të mesme profesionale, punoi në një pulari në Yzberisht. Për punën në socializëm ka kujtime të mira dhe thotë që kishte pagë të mirë e puna nuk ishte shumë e rëndë, ose kështu i dukej asaj se ishte më e re në moshë dhe i përballonte më lehtë gjërat. Gjatë kohës që punonte aty kishte njohur edhe atë që do të bëhej bashkëshorti i ardhshëm. Sipas përshkrimit të Filit, ai ishte ‘i egër në paraqitje, por shumë zemërmirë’. Pas një momenti heshtjeje pranon dhe njëherë sikur kërkon që të bindë vetveten që ‘është njeri shumë i mirë’. ‘Ishte njohje e drejtpërdrejtë dhe dje kam bërë 22 vjet martesë’ - ‘Tek shtëpia ime nuk është bërë dasmë, se më rrëmbeu. Ishim ngushtë në shtëpi dhe nga kushtet familjare u martuam në këtë mënyrë. Bëmë dasmë te shtëpia e burrit. Familja ime ishte dakord’. Kur i shkon mendja te një burrë i rëndësishëm në jetën e saj, me siguri ky është babai. Ai i ka shërbyer si model. ‘Burri dhe babai kanë dallime. Babai të do me gjithë shpirt. Çdo njeri ka vendin e tij në jetë, por jeta ka vështirësitë e veta dhe babai është më i rëndësishëm’.

Filit nuk i intereson politika

Fili me një ndjenjë shumë të dukshme zhgënjimi shprehet se nuk i intereson politika dhe që nuk ka fare ndikim në jetën e saj të përditshme. Pastaj pason një heshtje e gjatë. Pyetjes për shkaqet e këtij qëndrimi ajo i përgjigjet ‘nuk kanë bërë ndonjë ndryshim për ne. Nuk kanë bërë ndonjë ndryshim për shtresën tonë, çfarë ndryshimi do të bëjë për mua? Për punën nuk ka bërë asgjë. Unë nuk e di..., si burri dhe unë kemi arritur gjithçka me forcat tona. PD – PS për mua janë njëlloj’. Sidoqoftë, mosinteresimi për politikën nuk e pengon që të informohet duke lexuar gazetat dhe të ndjekë çdo ditë lajmet në televizion. Thotë që e bën këtë gjë për të marrë vesh se çfarë ndodh në Shqipëri.

Fili nuk voton

Në komunizëm Fili, ashtu si të gjithë, ishte e detyruar të votonte. Votonte por edhe në atë kohë nuk i interesonte politika. Sipas saj në atë kohë me aktivitet politik apo sindikal merreshin vetëm komunistët, ndërsa ajo ishte e painteresuar për atë që ndodhte. Gjatë kohës së demokracisë ajo ka votuar deri në vitin 1997. Në atë periudhë familja e saj ka lënë shumë para tek piramidat. Thotë që kjo ngjarje i ka shkaktuar shumë zhgënjim. ‘Nuk e dimë akoma kush i mori lekët tona, por PD ishte në pushtet në atë kohë’. Pas zhgënjimit të piramidave dhe humbjes së parave aty, ajo nuk ka votuar më. Ah...po, ka votuar dhe një herë të vetme; kur është zgjedhur Edi Rama kryetar Bashkie për herë të parë, por atëherë e kishte bërë vetëm se e kishte qejf vajza e saj.

Fili dhe Shteti

Rolin e shtetit, Fili e njeh vetëm nëpërmjet punësimit. Janë dhe certifikatat, por pa larë taksat nuk të japin certifikatë. Kështu që mbetet vetëm punësimi. ‘Puna në shtet ka shumë favore, - thotë ajo, - por edhe shteti është bërë me kontratë. Pra, dhe atje nuk e ke të siguruar vendin e punës’. E gjithë çështja vërtitet rreth sigurisë së vendit të punës ‘se privatit i mbushet mendja dhe të heq...’ megjithëse Fili kishte dhjetë vjet që punonte në të njëjtin vend.

Fili dhe Ekonomia

Të ardhurat e saj mujore personale janë rreth 40 mijë lekë të reja në muaj. Së bashku me vajzën, e cila punon shitëse në një dyqan, ajo mban familjen. Burri dhe djali aktualisht nuk punojnë. Gjejnë punë ‘me hope’. Megjithatë, vendimet në shtëpi i merr burri. Sipas saj ‘burri është shtylla e shtëpisë, është zoti i shtëpisë, kur vjen burri mbushet shtëpia, pavarësisht se kemi debate’. Ajo mendohet për një çast dhe thotë që ‘burri është më i zgjuar por për disa gjëra ekonomike që kanë lidhje me shtëpinë jam unë më e zgjuar. Gjërat e shtëpisë i menaxhoj vetë, pavarësisht se burri është ai që i merr vendimet’. Fili e konsideron marrëdhënien me bashkëshortin e saj si të barabartë. ‘Jemi të barabartë, megjithëse unë e kam toleruar dhe vazhdoj ta toleroj. Më përpara më tradhtonte dhe unë e toleroja. E kam tradhti me të thënë dhe jo me të parë”. Për të nxjerrë inatin, ndonjëherë ka pasur momente që ia kam kujtuar. Jo se është i dhunshëm, por ashtu si të gjithë meshkujt shqiptarë... Shkojmë shumë mirë’. Në fund të fundit, sipas saj edhe pse është burri ai që i merr vendimet, ‘neve na përputhen mendimet. Na ka bashkuar Zoti se jemi të dy një shenjë dhe kemi të njëjtat mendime’. Ajo përfundon ‘se nuk është mirë që burri dhe gruaja të kenë mendime të ndryshme. ‘Gruaja është gjithmonë ajo që duhet të hapi rrugën”.

Fili dhe Shoqëria Civile

Kur e pyesim Filin nëse është angazhuar ndonjëherë tek grupet e shoqërisë civile, ajo përgjigjet që nuk e ka menduar ndonjëherë, por sikur të ndodhte dhe po të ishte për të mirën e vendit, pse jo. Ne e pyesim” ‘Të vendit, apo tënden?’- e ajo thotë që ‘nuk e kam menduar’. Pyetjes se si do të kontribuonte, ajo i përgjigjet : ‘Me çdo gjë, vetëm jo me protesta. Jo se nuk më intereson, por nuk kam dalë asnjëherë’. Po mosbindja civile (e cila i shpjegohet se çfarë është)? Sipas Filit, ligji duhet zbatuar. Sado i mirë apo i keq që të jetë, ligji duhet zbatuar. Përderisa ata e miratojnë, unë jam e detyruar ta zbatoj. Pa paguar taksat nuk merr dot asnjë certifikatë’.

Në vend të përfundimit

Besimet e kësaj gruaje, vlerat e mbartura nga tradita e nënshtrimit të gruas ndaj burrit dhe qëndrimet që mban në lidhje me këto çështje, pakçka lidhen me ndonjë formë të angazhimit civik. Informacioni që Fili na jep shoqërohet nga një kontradiksion i vazhdueshëm, ku më shumë na folën pauzat e saj të gjata sesa ajo që zgjodhi të na rrëfente. Është e vështirë të vijëzosh përfundime për të gjitha gratë shqiptare, por shumë nga përgjigjet për pasivitetin civik të grave sot, mund të gjenden në përgjigjet e Filit.

Gratë dhe politika

Stereotipi më i zakonshëm për gratë është se ato janë më pak të interesuara për politikën në krahasim me nivelin e interesimit që paraqesin burrat. Ato mendojnë se politika është tepër e komplikuar për to dhe kështu nuk i kushtojnë vëmendje lajmeve dhe informacionit politik. Shumë gra mendojnë se politika është ‘botë burrash’. Kështu që, në vend që si rrjedhojë e procesit të socializimit politik, gratë të fitojnë orientimin politik dhe të bëhen më të ndërgjegjësuara për politikën, ato mësohen me idenë dhe fillojnë të besojnë që vërtet politika apo aktivitete të tjera socializuese jashtë mureve të shtëpisë nuk janë për to dhe i përkasin ekskluzivisht burrave. Kjo varet edhe nga fakti që tradita shqiptare ka treguar (bazuar edhe në intervistat që ne kemi realizuar) që modeli politik i grave shqiptare është më shumë babai sesa nëna. Studime të ndryshme kanë treguar që modeli femëror që u ofrohet grave kur janë ende të vogla është element i rëndësishëm, që ndikon orientimin e tyre përkundrejt sistemit politik. Kështu, nëna mund të transmetojë tek e bija mesazhin që politika nuk është vetëm për burrat, por kjo varet edhe nga burimet në dispozicion, mosha, edukimi, statusi social dhe ekonomik i saj. Sigurisht që është dhe efekti i ndikimit të politikaneve femra që shërbejnë si modele për gratë e reja që kërkojnë të hyjnë në politikë por kjo në Shqipëri është çështje më vete që kërkon një trajtim të veçantë.

*Pedagoge,Universiteti Europian i Tiranës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›