E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët fusin dorën në xhep

Në mënyrë vullnetare, uniformat blu dhuruan 30 milionë lekë të vjetra për familjet në nevojë në Gërdec

TIRANË - Rreth 30 milionë lekë të vjetra dje dolën nga xhepat e varfër të efektivave të Policisë së Shtetit, për t’u shkuar në ndihmë familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit. Pasi u shpëtuan jetën një pjese të madhe të të plagosurve të fshatit Gërdec, ku vetëm falë ndërhyrjes së 4 autoblindave të RENEA-s u evakuuan rreth 120 të plagosur, ndërkohë që gati 140 banorë të tjerë, mes tyre dhe shumë të lënduar, ishin evakuuar nga një grusht punonjësish të postës policore së Vorës, 4 prej të cilëve mbeten dhe vetë të plagosur, dje efektivat blu kryen edhe një tjetër akt fisnik, ndonëse të urdhëruar. Një urdhër i brendshëm i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kryekomisar Ahmet Prençi, i lëshuar vetëm pak ditë më parë, për të ndihmuar kushdo që të dëshironte nga efektivat e policisë familjet e dëmtuara të Gërdecit, bëri që uniformat blu të preknin rrogat e tyre modeste dhe të dhuronin aq sa të mundnin parà për familjet tashmë në nevojë. Pas fondeve të dhëna nga qeveria dhe organizma të tjerë për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve të Gërdecit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit jep 3 milionë lekë. Sipas një njoftimi për shtyp të kësaj drejtorie, bëhet e ditur se në llogarinë bankare të vënë në dispozicion për ardhjen në ndihmë të banorëve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka derdhur 3 milionë lekë të reja në llogarinë bankare të hapur për të ndihmuarit të prekurit e tragjedisë së Gërdecit. Në njoftim theksohet fakti, se solidariteti është bërë në mënyrë krejtësisht vullnetare dhe humane. Duke iu shprehur në këtë mënyrë ngushëllimet të gjithë familjarëve të viktimave, Policia e Shtetit dha dje kontributin e saj nëpërmjet çdo efektivi dhe strukture që ka në përbërjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›