E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari refuzon bashkepunimin

Ish-drejtori i ndërmarrjes Meico, Ylli Pinari, refuzoi kërkesat e vazhdueshme të prokurorisë që të bëhej bashkëpunëtori i drejtësisë dhe të jepte të dhëna të vlefshme për hetimin në lidhje me gjithçka ndodhte në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec

TIRANË - Shuhet shpresa e prokurorisë për të bërë bashkëpunëtor të drejtësisë ish-drejtorin e ndërmarrjes “Meico”, i cilësuar si personi kyç në zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit. Ofertave të organit të akuzës për bashkëpunim me hetimin, Ylli Pinari iu përgjigj negativisht, duke detyruar kështu prokurorinë të luajë kartën e fundit: sekuestrimin e pasurisë së Pinarit. Ndryshe nga pasuria e Delijorgjit, asetet e Ylli Pinarit u sekuestruan pak ditë më parë, dhe kjo pas refuzimit të vazhdueshëm që ish-drejtori u bëri organeve hetimore. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime konfidenciale pranë organit qendror të akuzës, të cilat thanë se Ylli Pinarit i është ofruar disa herë statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, por ai vetë e ka refuzuar. Oferta e fundit e prokurorisë është bërë disa ditë më parë, kur prokurorët e çështjes i kanë kërkuar Ylli Pinarit të bashkëpunojë dhe të rrëfejë gjithçka dinte rreth çështjes në fjalë. Por ish-drejtori ka refuzuar sërish, duke deklaruar se nuk ruan asnjë sekret për këtë çështje dhe është treguar i hapur për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të prokurorëve. Një metodë e tillë bashkëpunimi duket se nuk i është përshtatur grupit hetimor, i cili pasi ka tentuar disa herë të shkëpusë diçka nga Pinari, por pa ia arritur qëllimit, ka vendosur t’i sekuestrojë paraprakisht pasurinë. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga pala mbrojtëse, e cila pak ditë më parë depozitoi në Gjykatën e Tiranës një kërkesëpadi me objekt “vleftësim i sekuestros”. Në fakt, pasuria e Pinarit ka qenë edhe pika kyçe, nga e cila prokuroria mendonte të përfitonte sa më shumë nga ish-drejtori i “Meico”-s. Por pas dështimit vendosi ta luajë edhe këtë kartë, duke i dhënë fund kështu një bashkëpunimi me ish-drejtorin, i cili sipas prokurorisë është personi që krijoi kontaktin e parë me përfaqësuesin e kompanisë amerikane “SAC”, Patrik Henri. Sipas organit të akuzës, Ylli Pinari, në cilësinë e kreut të “Meico”-s, ka dijeni dhe informacione për çdo veprim të ndërmarrë nga dikasteri i mbrojtjes në lidhje me armët dhe municionet, pasi gjithçka kalonte nëpërmjet ndërmarrjes së import-eksportit. Lidhur me ngjarjen tragjike të Gërdecit, prokuroria thotë se Ylli Pinari është një nga njerëzit që ka përgjegjësinë kryesore, por një fakt i tillë aktualisht mbështetet vetëm në akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Mbrojtja e Pinarit ka deklaruar se pozicioni i drejtorit të “Meico”-s nuk parashikonte ruajtjen e armëve apo municioneve, por vetëm shitjen e tyre. Krahas zbardhjes së plotë të çështjes, prokuroria po punon edhe për klasifikimin e akuzave për të akuzuarit si përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit, por deri tani ende nuk ka një përfundim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›