Pronarët nuk shohin zgjidhje

Amendimet e bëra nga shumica në pushtet në ligjin e legalizimeve vazhdojnë të mos i japin zgjidhje çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. Kanë qenë këto konkluzionet e dhëna nga deputetët dhe përfaqësia e ish-pronarëve në ditën e parë të diskutimeve mbi ndryshimet e ligjit të legalizimeve. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, deklaroi se amendimet e ligjit nuk pasqyrojnë zgjidhje problemit me kompensimin e ish-pronarëve, duke e cilësuar procesin e kompensimit si një ngërç. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese garantoi se në diskutimet që do të vazhdohen ditën e hënë, do të arrihen të reflektohen të gjitha vërejtjet që kërkon në dekret Presidenti i Republikës. Sipas anëtarit të kryesisë së shoqatës më të madhe të ish-pronarëve “Pronësi me drejtësi”, Reshit Vorpsi, është kërkuar që lejet e legalizimit të mos jepen pa shpronësimin e pronarëve. “Duke qenë se leja e legalizimit është e pavarur nga kompensimi i pronarëve, atëherë ne kërkojmë që të mos jepet asnjë leje legalizimi pa kompensimin e ish-pronarëve”, u shpreh Vorpsi, duke shtuar se neni 1 i ligjit të legalizimeve nënkupton që, të gjithë ndërtimet e kryera para hyrjes në fuqi të ligjit dhe ato më pas do të legalizohen. Këtu ka ndërhyrë nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, i cili ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë legalizim pas afateve ligjore. Pra, e thënë ndryshe, të gjithë ndërtimet e ngritura pas muajit maj të vitit 2006, periudhë kjo e miratimit të ligjit, nuk do të jenë pjesë e procesit të legalizimeve. Sipas ish-pronarëve, ndryshimet për ligjin e legalizimeve nuk sjellin gjë tjetër, veçse shtojnë numrin e banorëve të cilët janë strehuar në shtëpitë e ngritura mbi tokën e ish-pronarëve. Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Reshit Vorpsi, paraqiti si rast konkret situatën që krijohet nga ndryshimet e ligjit me ndërtimet pa leje në zonat informale mbi pesë kate, ku leja për prishjen e këtyre ndërtimeve kur banorët të jenë të sistemuar në shtëpitë e shtetit, nuk jepet nga Inspektorati i Ndërtimit, por vetëm nga Agjencia e Legalizimeve. “Ne kërkojmë të drejtën e zhvillimit të këtyre zonave. Këto ndryshime nuk sjellin gjë tjetër, veçse shtojnë numrin e banorëve të strehuar në shtëpitë e ish-pronarëve, ku sot numërohen 6500 familje”, u shpreh Vorpsi. Po ashtu, një tjetër problem të cilit ende nuk jepet një zgjidhje, është legalizimi i ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare, që sjell dhe kufizim të pronarëve për kompensim. Pikërisht në pikën e zgjidhjes së problemit për të drejtat e subjekteve të shpronësuara, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtime të paligjshme, ku këtu ka dy kategori pronarësh: ka pronarë që u janë kthyer tokat, përfaqësuesit e shoqatës, por ka dhe pronarë që janë në procesin e kthimit dhe kompensimit pronave. Për zgjidhjen e këtij problemi, sekretari i përgjithshme i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, kërkoi të drejtën e ankimimit në gjykatë nga ish-pronarët, kur ata janë të pakënaqur nga kompensimi”, Amendimet e bëra në ligjin e legalizimeve nuk e zgjidhin drejt këtë problem, aq më tepër që problemi i kthimit dhe i kompensimit duhet domosdoshmërish të zgjidhet paraprakisht me një shpronësim të drejtë të menjëhershëm dhe, mbi të gjitha, me anë të një marrëveshjeje midis subjektit të shpronësuar dhe shtetit që do të bëjë legalizimin, por që subjekti i shpronësuar të ketë të drejtë domosdoshmërish që ta dërgojë çështjen në gjykatë kur nuk është dakord me këtë kompensim.
Vendorët, 2 muaj kohë për vlerësimin e ndërtimeve pa leje
Deputetët e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese i kanë dhënë 2 muaj kohë pushtetit vendor për kualifikimin e ndërtimeve pa leje në zonat informale. Në rast se pushteti vendor nuk i kryen këto kompetenca brenda këtij afati, atëherë ky proces do të kryhet nga agjencia e legalizimeve. Pra, do të jenë zyrat e urbanistikës së pushtetit vendor, ato të cilat do të bëjnë vlerësimin e ndërtimeve, kurse ALUIZNI do të bashkëpunojë me qeverisjen vendore. Në këtë mënyrë, në lidhje me kompetencat e pushtetit vendor, deputetët i kanë rikthyer atij kompetencat, që i ishin dhënë nga ligji ekzistues. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, deklaroi se pushteti vendor do të mbajë kompetencat e mëparshme. “Ne i rikthehemi ligjit ekzistues, që kompetenca bazë që është kompetenca e kualifikimit të ndërtimeve pa leje, e mban përsëri pushtetit vendor dhe natyrisht që pushtetit vendor nuk mund ta mbajë pa kufi. Kemi vënë një afat. Ramë dakord që kjo do të jetë edhe dy muaj të tjerë. Nëse pushtetit vendor nuk e zbaton këtë kompetencë, atëherë ALUIZNI do të vazhdojë punën që i takon në bazë të ligjit”, u shpreh Bufi.