Qeveria nuk ka lekë

Mbajtja e deficitit buxhetor në nivelin 3 për qind, duke nisur nga viti 2009, periudhë kjo që përkon me përfundimin e programit të Fondit Monetar, është e pamundur për autoritet shqiptare. Largimi i Fondit Monetar do të sjellë që financat të mbikëqyren nga rregullat e forta të BE-së, të cilat nuk lejojnë kalimin e deficitit buxhetor mbi nivelin 3 për qind. Ministria e Financave është duke diskutuar opsione të ndryshme për mënyrën e mbajtjes së deficitit në këtë nivel, ku njëra nga mënyrat mbetet ajo e rregullimit me shpenzimet e rekomanduar edhe nga FMN-ja. Shqetësimi mbi këtë situatë është ngritur nga zëvendësministri i Financave, Florion Mima, gjatë diskutimeve të projektligjit të buxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Nga ana tjetër, opozita ka qenë skeptike në iniciativën e qeverisë për zbritjen e nivelit aktual të deficitit buxhetor. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohoi se kjo ka ardhur për shkak të dështimit të investimeve, çka nuk mund të cilësohet meritë e qeverisë. Ndërkohë, numri dy i Financave, Mima, kërkoi që për mbajtjen e deficitit buxhetor prej 3 për qindësh të arrihet një konsensus edhe me opozitën, duke zhvilluar një debat të hapur. Mbajtja e deficitit buxhetor sipas Mimës në nivelin 3 për qind, arrihet ku të ardhurat të zënë 33 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse shpenzimet të jenë 36 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Niveli i shpenzimeve do të ketë avantazh, por është e pamundur që me këtë nivel taksash të mbash këto shpenzime”, deklaroi Mima, duke shtuar se një mënyrë është që stoku i borxhit do të ulet nga shpenzimet. Pra, në këtë mënyrë, Ministria e Financave është e detyruar të gjejë një rregull, në mënyrë që të zbatojë kriteret e Maastricht-it, pasi do të jenë autoritetet e BE-së, ato që do të mbikëqyrin financat pas largimit të Fondit Monetar dhe niveli i deficitit buxhetor nuk mund të kalojë pragun prej 3 për qindësh. Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ka përcaktuar kufij të deficitit buxhetor në ligjin e ri të buxhetit që ka përgatitur. Përveç vitit 2009, qeveria sipas rekomandimeve të FMN-së duhet të mbajë deficitin buxhetor për këtë vit në nivelin 5.2 për qind, nga 7.9 që ajo është. Ish-ministri i Financave dhe njëkohësisht nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj, e cilësoi ende shqetësues nivelin e deficitit buxhetor në masën 5.2 për qind. Sipas Malajt, kjo nuk mund të cilësohet meritë e qeverisë, pasi deficiti buxhetor është ulur për shkak të mosrealizimit të investimeve. “Vullneti i qeverisë për uljen e deficitit do të shikohet në rishikimin e buxhetit të vitit 2008, ku edhe niveli prej 5.2 për qindësh është shqetësues. Por kjo zbritje nuk është meritë e qeverisë, por vjen për shkak të dështimit të investimeve”, cilësoi Malaj. Por ndryshe nga ajo çka deklaroi opozita, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, tha se zbritja e deficitit do të realizohet nga shtimi i të ardhurave dhe nga privatizimi i aseteve, duke përmendur këtu ARMO-n.