E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pipa i lexuar? Kur shqiptarët të bashkojnë lirinë me diturinë

Nga konferenca shkencore kushtuar Arshi Pipës, del vetëm një shqetësim. Intelektuali që jetoi në ekzil periudhën më të gjatë të regjimit, njihet nga studiuesit, por jo nga shkollarët. Bashkudhëtarja e tij, motra Fehime, e gjen shpjegimin tek ky vend akoma jo demokratik

Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, kur shqiptarët të lexojnë veprat e autorëve të mëdhenj të anatemuar nga regjimi. Fjalët e Fehime Pipës, e cila perifrazon një mendje tjetër të ndritun, Martin Camajn, mund të merren me rezervë, sepse në këtë mes ekziston "një konflikt interesi". Janë fjalët që një nga motrat Pipa shprehu dje, duke nënkuptuar qartë se një ndër autorët e mëdhenj është i vëllai, Arshi Pipa.

Që nga korriku i 2007-ës kanë kaluar dy vjet, kur për herë të fundit është folur për Arshi Pipën (1920-1997) dhe mendimin e tij antikomunist, me rastin e botimit në shqip të "Stalinizmit shqiptar" dhe dy veprave studimore, njëra kushtuar poetit Millosh Nikolla dhe tjetra për kritikën si gjini letrare, kur lindet dhe si mbahet gjallë e kultivohet një mendim kritik ndaj letërsisë shqipe.
Por, siç theksuan edhe folësit e takimit të djeshëm organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, "tani gjithkush, me pak vullnet mund të dijë më shumë për poetin, studiuesin, filozofin dhe eruditin Arshi Pipa", - tha shkrimtari, Agron Tufa.


"Gjithkush mundet, së paku, të mësojë mbi peripecitë e tij, famën si profesor i universiteteve amerikane, të ketë pak a shumë një ide mbi veprat e tij studimore të botuara me veshje luksoze në akademitë dhe universitetet amerikane, gjermane apo italiane, me përjashtim vetëm të akademive dhe universiteteve shqiptare. Dijet e Pipës dhe aftësia e tij sintetike, aq e përfolur, e përpunimit të tyre, mbetën, për fat të keq, të paushtruara në auditorët shqiptarë, pikërisht në kohën e urisë për dije. Sa më shumë kridhesh në universin artistik dhe shkencor të Arshi Pipës, ndjen pikëllim e keqardhje për shkak të atij tersllëku të madh që quhet "fat historik"."

Është tregues optimist për veprën e Pipës, për joshjen që rrezaton për t'u ndalur tek ajo dhe për ta analizuar. Mes të ftuarve nga Qendra e Studimeve Albanologjike shihje studiues të rinj që e shohin Pipën nga këndvështrime të larmishme, dikush për qëllime mirëfilli estetike, një tjetër nisur nga motivet e tematikës dhe dokumentaristikës.

Nga kjo konferencë shkencore del vetëm një shqetësim. Intelektuali që jetoi në ekzil periudhën më të gjatë të regjimit, njihet nga studiuesit, por jo nga shkollarët. Ky është edhe shqetësimi i motrës Fehime, bashkudhëtares së tij, 87-vjeçares së kthyer përfundimisht në Shqipëri (do të arratisej me Arshiun në vitin 1956), e cila motivin pse Pipa nuk merret seriozisht në konsideratë, nuk e sheh tek motivet personale që kanë të bëjnë vetëm me Pipën dhe vetëm me idetë e veprës së tij. Ajo është e bindur se motivi i mosnjohjes buron prej statusit aktual të Shqipërisë, pse ky vend nuk është akoma demokratik, që do të thotë se lirija dhe ditunija nuk janë takuar akoma.

Ajo theksoi se i vetëm libër i botuar për Arshi Pipën, i shkruar me sinqeritet dhe me dëshmi të sakta, është ai i Uran Kalakullës, "Arshi Pipa, njeriu dhe vepra", vepër që nuk e gjen më në qarkullim.

Gruaja falënderoi nismëtarët e konferencës, Patricia Nugee dhe Ilir Kadija dhe pastaj bëri një prezantim fluid për punën patriotike dhe shkollare t'Arshiut e që asht sui generis. E përkorë në fjalën e saj, ajo tha se veprat e tij janë jetësore për Shqipërinë e sotme, e dalë nga terri i diktaturës gjysmëshekullore. Përmendi se shpjegimin për origjinën e termit "shkrimtar i anatemuar", me të cilin është quajtur Pipa dhe të tjerë autorë të rëndësishëm në letrat shqipe, ai e kishte bërë tek poema "Kanga simbolike", te "Libri i burgut". Ky term ishte krijuar nga ata që "urrejnë dritën sepse janë të ngrysun me terrin". Ndërsa përtej kufijve ai botohej nga Universiteti i Kolumbias dhe i Minesotës, ku dha shqipen për 10 vjet.

"Shkrimet e Arshiut nuk janë të kandarit të bakajve, por janë të nji intelekti me inteligjencë dhe ditunije të madhe. Ato kanë autoritet dhe kanë superioritet dhe janë të frymëzueme prej asaj lloj energjije krijuese për të renë që don pavarësi mendimi dhe pavarësi veprimi. Shkrimet e Arshiut janë n'universitete amerikane dhe europiane. Me këta shkrime Arshiu e ka nderue atdheun tue i diftojnë botës se Shqipnija e vërtetë s'asht ajo komuniste, për të cilën bota kur nuk tallej rrëqethej, porse atdheu ka birt e saj shkrimtarët ekzilantë për me e nderue atë. Dhe krahas me mendet ma të ndrituna të botës së qytetnueme", - theksoi Fehimja dhe pas pak shtoi. "E prap, kah ana tjetër, ka edhe heshtje për Arshiun, si me dashtë me ia dënue tash atij veprat me vdekjen intelektuale t'emnit. Në Shqipninë e sotme demokratike, n'emën të disa shkrimtarëve shqiptarë që dje regjimi komunist ua bani tabu emnat, sot jepen çmime. Ky asht nji gjest për t'u lavdue. Emni i Arshiut s'asht ndër ta. E kjo për mungesë merite".

I burgosur me akuzën për pjesëmarrje sa me "Grupin e Deputetëve" edhe me atë "Socialdemokrat", Arshi Pipa do të vuante 10 vjet dënim në burgjet e Durrësit, Tiranës, Vloçishtit, Gjirokastrës, Burrelit. Në fletë cigareje ai shkroi "Librin e burgut", "Libri i dashunis dhe i fatit", romanin "Rusha" dhe "Lirika të zgjedhura - përkthime".

Po në burg ka shkruar "Abbozzo di una concezione della vita", e cila mbetet për t'u botuar dhe "Trilogia Albanica", rëndësia e së cilës, nevoja për t'u përkthyer dhe botuar në shqipe, është theksuar dje disa herë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›