Listat, zbulohen edhe 250 dublikime të tjera
Sekretari socialist, Kastriot Islami: Problemet me listat janë pasojë e defekteve të regjistrit të shtetasve
Parimi kushtetues se, "çdo shtetas ka vetëm një votë" për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit, nuk do të ketë të njëjtën vlerë për gjithë zgjedhësit shqiptarë. Kjo pasi, një numër i konsiderueshëm i tyre, me dijeninë apo pa dijeninë e Ministrisë së Brendshme, kanë fituar të drejtën për të zgjedhur më shumë se një herë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë favorizim ligjor, por për mundësinë që u krijon regjistri elektronik i shtetasve, për të qenë në listat e zgjedhësve në më shumë se një herë. Vetëm deri më tani janë evidentuar në listat e zgjedhësve mbi 5 mijë emra të dubluar, pse jo dhe të trefishuar, të cilët rezultojnë si votues potencialë në dy apo më shumë qendra votimi.
Pas listës prej 5186 dublikimesh të publikuar vetëm pak ditë më parë, dje ka dalë një listë e dytë, me afro 248 shtetas nga rrethi i Kukësit, të regjistruar në disa qendra votimi dhe të cilët, Regjistri Elektronik nuk ka mundur t'i spastrojë. Pesë raste prej tyre rezultojnë të regjistruar 3 herë në qendra votimi të ndryshme.
Islami
Duke marrë shkas pikërisht nga një fenomen i tillë, Partia Socialiste në vijimësi ka denoncuar mundësinë që ekziston, që, në zgjedhjet e ardhshme këta shtetas të shprehen më shumë se një herë për preferencën e tyre politike. Sipas sekretarit socialist për çështjet elektorale, pasaktësitë që mbartin listat përfundimtare të zgjedhësve, të publikuara nga Ministria e Brendshme, janë pasojë e defekteve që ka Regjistri Elektronik, i cili nga ana e tij nuk ka mundur të shmangë gabimet që ekzistonin në regjistrat e gjendjeve civile në gjithë vendin. "Ai që quhet regjistër sot, nuk është gjë tjetër, veçse një shumatore e të gjithë librave të vjetër, me të gjithë defektet e tyre, por tani ai është elektronik.
Pra, tani defektet janë bërë elektronike, dhe asgjë më shumë se kaq. Pastaj është marrë një software, që quhet austriak dhe, për më tepër, një software që nuk ka marrë në konsideratë shumë elementë të realitetit shqiptar. Pra, të gjitha defektet që ka regjistri civil, ato të trashëguara dhe të reja, janë pasqyruar në listën e votuesve". Por, lidhur me problematikën e publikimeve, Ministria e Brendshme, disa ditë më parë, sqaroi se ato mbeten një problem, pasi kompjuteri mund të skarcojë vetëm një herë emrat që kanë qenë regjistruar më shumë se një herë. Sipas saj, numri i madh i dublikimeve që ekzistojnë ende, ka ardhur për shkak se emrat e këtyre shtetasve kanë qenë të regjistruar më shumë se dy herë.
Të "vdekurit"
Por dublikimet nuk janë i vetmi problem i listave të zgjedhësve. Mediat, në vazhdimësi, gjatë këtyre ditëve kanë dokumentuar dhe një tjetër fenomen, që vë në pikëpyetje jo pak standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Defektet e regjistrit elektronik kanë sjellë si pasojë që më shumë se 3300 shtetas të regjistruar në listat e zgjedhësve të jenë mbi moshën 100 vjeç, një kontingjent ky për të cilin, Partia Socialiste dyshon se, për shkak të moshës së madhe, në të shumtën e rasteve nuk jetojnë.
"Në listë vazhdojnë të mbeten të gjithë ata që quhen të vdekur dhe ky është një numër i konsiderueshëm", - u shpreh dje Islami. Për të ilustruar këtë defekt, ai, ashtu si dhe disa ditë më par,ë iu referua përsëri rastit të bërë publik të një shtetaseje që figuron në lista me moshën 159 vjeçe.
Ndërkohë, sipas Islamit, selia rozë po bën të gjitha verifikimet e rasteve të identifikuara për të saktësuar qëndrimin nëse këto defekte janë të qëllimshme nga Ministria e Brendshme. "Ne po analizojmë në thellësi për të parë nëse ka elementë të qëllimshëm dhe selektivë për sa u përket listave të votuesve", - tha Islami.