Transportoi drogë, vihet në pranga
GJIROKASTËR- Arrestohet një vit e gjysmë pas zbulimit të rrjetit të trafikut të drogës në të cilin bënte pjesë. 19-vjeçari Kastriot Llupi i shpëtoi policisë shkurtin e vitit të kaluar, ndërsa së bashku me dy persona të tjerë ishin duke transportuar një sasi lënde narkotike drejt Greqisë. Qysh prej asaj kohe e në vijim, policia e Gjirokastrës ka vijuar punën për kapjen e tij, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 5 vjet heqje lirie. Janë dashur më shumë se një vit hetime në mënyrë që të evidentohej vendqëndrimi i të shpallurit në kërkim.
Pas mbledhjes së një sërë informacionesh në rrugë operative, si dhe me anë të përdorimit të metodave të hetimit, si: përgjimi i bisedave telefonike, u arrit që 19-vjeçari Llupi të arrestohej në banesën e vet, në orët e vona të mbrëmjes. Ngjarja për të cilën është dënuar Llupi ka ndodhur më 20 shkurt të vitit të kaluar, kur ai dhe dy persona të tjerë po transportonin rreth 40 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në drejtim të shtetit grek. Ata janë pikasur nga forcat e policisë në malin e Bodrishtës të rrethit Gjirokastër. Dy personat e tjerë u arrestuan në flagrancë, ndërsa Llupi mundi të largohej duke përfituar nga errësira.