E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pipero: Ska epidemiologji në Librazhd

Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, garanton se nuk ka shpërthim epidemiologjik në qytetin e Librazhdit. Duke iu referuar ngjarjes në qytetin e Librazhdit, ku humbi jetën një vajzë 21-vjeçare, Pipero citoi se situata në këtë qytet është e qetë dhe nën kontroll.

Situata epidemiologjike është e qetë, nuk kemi sëmundje infektive. Ka një rast humbje jete që është nën hetim mjekësor dhe ku po bëhet ekzaminimi i mëtejshëm. Mendohet për një infeksion bakterior në formën e një meningjiti, por duhet të priten analizat e ekspertëve- ka thënë më tej Pipero.

Gjatë një dalje publike për mediat, Pipero shtoi se nuk ka vend për epidemi, në lidhje dhe me rastin ku motër e vëlla kanë shfaqur të njëjtat simptoma si viktima.

Vajza ishte me bajame të qelbëzuara dhe është kuruar e shëruar, kurse i vëllai në moshë më të rritur ka qenë më bark e të vjella dhe është stabilizuar. Nuk kemi raste të reja dhe që kanë lidhje shkakësore me rastin e parë.

Ndër të tjera, Pipero kërkoi nga qytetarët që të marrin masa emergjente, pasi kemi hyrë në sezonin e gripit.
Situata është jo vetëm e qetë, por edhe nën kontroll. Nuk ka vend për panik dhe për hamendësime, pasi jemi në situatë të virozave të stinës dhe qytetarët duhet të marrin masa për t`u mbrojtur nga gripi, tha më tej ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›