Piramida, Kuvendi civil protestë para Presidencës
Kuvendi civil ka protestuar sot para presidencës kalimin në heshtje nga ana e kreut të shtetit të ligjit për prishjen e Piramidës.
Në një prononcim për “Ora News” kreu i Kuvendit civil theksoi se heshtja e presidentit për prishjen e Piramidës bëri që të humbasë besimi tek institucioni që ai përfaqëson.
“Jemi këtu për t`i thënë jo dhunimit të monumenteve kombëtare. Do të kërkojmë një referendum kombëtar për çështjen e Piramidës. Do të ndërmarrim një aksion rreth më rreth për t`i thënë jo prishjeve të monumenteve dhe të pasurisë kombëtare” theksoi kreu i Kuvendit civil.
Ndërkohë kreu i shtetit nuk e ka firmosur dekretimin e ligjit për shembjen e Piramidës dhe ngritjen aty të kompleksit të ri parlamentar. Ndërsa ka përfunduar tashmë afati 20 ditor që në kohën kur ligji kaloi në parlament për tu dekretuar nga presidenti Topi, ky i fundit ka folur me heshtjen e tij për këtë çështje që ngjalli debat të hapur publik.
Ndërkohë ligji për rregullat dhe procedurat për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar kaloi para tre javësh në parlament me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme.