Piramida, nismë për të organizuar referndum
Pavarësisht se ligji “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar” shumë shpejt pritet të hyjë në fuqi, një grup të rinjsh të zhgënjyer nga roli që luajti kreu i shtetit në këtë çështje, kanë vendosur që të ndërrmarrin një nismë për realizimin e një referendumi popullor për shfuqizimin e tij. Dje paradite përfaqësues të disa shoqatave rinore zhvilluan një konferencë shtypi përpara Presidencës, ku shprehën zhgënjim për Presidentin Bamir Topi, i cili nuk e ktheu ligjin për rishqyrtim, por e la atë në heshtje të hyjë në fuqi pa e dekretuar në të njëjtën kohë. Këto shoqata rinore i shtohen përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të Tiranës që me një peticion të mëparshëm për një referendum lokal, tubim festiv, botimin e një libri apo edhe intervista të shumta, kanë kërkuar që kompleksi i ri parlamentar të mos ngrihet në vendin ku ndodhet sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Pjetër Arbnori". Të rinjtë thanë se do të fillojnë mbledhjen e 50 mijë firmave për mbajtjen e një referendumi për shfuqizimin e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ashtu sic parashikohet në Kushtetutë.