Kume: Nuk e ka fajin KQZ, por mospranimi i humbjes
Problemet e dala nga zgjedhjet në vendin tonë janë produkt i mungesës së kulturës politike për të pranuar humbjen dhe jo thjesht i një ligji të keq zgjedhor apo edhe e përbërjes së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Kristaq Kume, ish-kryetari i këtij komisioni, tashmë një ekspert në fushën e zgjedhjeve, teksa analizon debatin e hapur së fundmi për reformën zgjedhore, shprehet se pavarësisht formulave që do të gjenden për kompozimin e KQZ, problemet zgjedhore do të ekzistojnë. Dhe kjo sipas tij vjen për shkak se në Shqipëri nuk është zhvilluar ende kultura politike që humbësi të pranojë rezultatin. “Ka formula nga më të ndryshmet. Deri më sot kemi eksperimentuar disa prej tyre dhe që përfundimisht kemi parë qëndrimin që ka mbajtur politika ndaj tyre, në të shumtën, për mendimin tim, nuk ka ardhur si rezultat i mendimit pozitiv apo negativ të asaj që ka bërë administrata zgjedhore, në këtë rast KQZ, por më shumë ka qenë si pjesë e asaj që është përdorur për të pranuar humbjen. Dhe gjetja e arsyeve të kësaj humbje të të tjerët”-tha Kume. Gjithashtu duke iu referuar disa ideve që kanë qarkulluar deri më tani mediatikisht për të ndërhyrë sërish tek KQZ, ai thekson se kjo nuk mund të quhet pozitive për shkak se një institucion i tillë nuk mund të ndryshojë pas çdo zgjedhje. “Nuk është serioz, fakti që pas çdo procesi zgjedhor partitë politike i drejtojnë sytë te administrata zgjedhore dhe kërkojnë që të ndërhyjnë në formulën, sipas së cilës kjo administratë formohet” – u shpreh Kume. Por pavarësisht këtij vlerësimi duket se ndryshimi i KQZ-së mbetet një nga synimet kryesore që mund të jetë pjesë e reformës zgjedhore, kjo krahas ndryshimit tjetër që ka të bëj me sistemin zgjedhor. Madje lidhur me KQZ-në në selinë rozë ditët e fundit ka qarkulluar ideja për të kopjuar modelin maqedonas, ku kryetari dhe shumica e këtij komisioni t’i jepet opozitës. Ndërkohë si ide nuk ka munguar as ajo për të patur një KQZ apolitike, ose që procesi zgjedhor të mund të administrohet nga anëtarë të gjykatave më të larta në vend.