E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, hapja e kutive ndryshon rezultatin e zgjedhjeve në Finiq

Kandidati i partisë minoritare MEGA, Ziso Lluci ka rezultuar fitues pas procesit të rivlerësimit të votave të kontestuara. KQZ ka rrëzuar kërkesën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për të shpallur pavlefshmëri në zgjedhjet e komunës Finiq dhe ka pranuar kërkesën e partisë MEGA duke hapur kutitë e votimit dhe rivlerësuar votat e kontestuara, çka ka sjellë si pasojë dhe ndryshimin e rezultatit, por jo të rezultatit ligjor ligjor, të shpallur nga KZAZ, ku kandidati i PBDNJ Sotiraq Spiro rezulton fitues me një votë më shumë. Kështu, institucioni më i lartë i administrimit zgjedhor nuk ka mundur të miratojë ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për këtë njësi për të shpallur fitues Llucin, për shkak se vendimi nuk ka mundur të marrë pesë votat e duhur, pasi dy përfaqësuesit e opozitës votuan kundër. Ndërkohë po dje KQZ ka rrëzuar me 6 vota kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve në komunën Kolsh të Lezhës.

Finiqi

KQZ ka marrë dje në shqyrtim si një çështje të vetme dy kërkesat e bashkuara të dy partive minoritare PBDNJ-së dhe MEGA-s, me objekt procesin zgjedhor në komunën Finiq. Në fillim ka nisur shqyrtimi i pretendimeve të PBDNJ-së, të cilët megjithëse kandidati i tyre Sotiraq Spiro ishte shpallur fitues nga KZAZ kërkonin pavlefshmëri të procesit. PBDNJ ka argumentuar kërkesën e vet për pavlefshmëri me pretendimin se procesi zgjedhor i zhvilluar në Finiq kishte nisur me 6 orë vonesë, çka përbën një nga rastet që Kodi përcakton se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen më. Kjo vonesë sipas tij ka sjellë si pasojë pamundësinë që disa votues të ardhur me autobus nga Greqia të votonin. Por, ndaj një pretendimi të tillë ka reaguar kryetari i KQZ-së Arben Ristani, i cili ndërsa ka hedhur poshtë vonesën e pretenduar ka akuzuar palën paditëse për një lojë të ulët për të mos nxjerrë në dritë parregullsitë e kryera nga komisionerët socialistë gjatë procesit të numërimit të votave. “Për të gjitha këto arsye kërkesa është e pabazuar në prova, ligj dhe për më tepër këmbëngul që shkelësve të ligjit nuk mund t’u jap kënaqësinë t’i shpërblejmë me pavlefshmëri”, - tha Ristani, ndërsa ka evidentuar faktin se është hera e parë që një subjekt kandidati i së cilës është fitues të kërkojë pavlefshmëri. Pavarësisht kundërshtimeve kërkesa e PBDNJ-së është hedhur në votë dhe është rrëzuar me 4 vota kundër dhe dy pro. Më pas ka vijuar procesi i shqyrtimit të kërkesës së MEGA-s, dhe ka nisur këqyrja e kutive të votimit duke rivlerësuar votat e kontestuara dhe duke verifikuar vota e vlefshme me ato të reflektuara në procesverbal. Në përfundim të këtij procesi kandidati i MEGA-s Ziso Lluci ka mundur të sigurojë në tërësi 5 vota avantazh ndaj kandidati rival të PBDNJ-së. Por pavarësisht kësaj votat e gjetura nuk kanë mundur të reflektohen në tabelën përmbledhëse, pasi dy anëtarët e majtë të KQZ-së kanë votuar kundra me argumentin se procesi i zhvilluar nga KQZ është i paligjshëm. Tashmë i përket MEGA-s e drejta për ta ankimuar këtë vendim të djeshëm të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor dhe për të kërkuar ndryshimin e tabelës dhe shpallen e Ziso Llucit fitues të zgjedhjeve.

Kolshi

Po gjatë ditës së djeshme KQZ ka marrë në shqyrtim dhe kërkesën e PD për pavlefshmëri të zgjedhjeve në komunën Kolsh të Lezhës. Ndryshe nga sa u vërejt në rastin e Finiqit, kësaj here anëtarët e KQZ-së në unison me 6 vota pro dhe asnjë kundër kanë rrëzuar këtë kërkesë me argumentin si të pambështetur në ligj dhe fakte. Sipas PD gjatë zgjedhjeve të zhvilluara të dielën e shkuar në disa qëndra votimi janë vënë re paregullsi me emërimin e komisionerëve, ndërkohë që në disa qëndra të tjera numri i votave të reflektuara në tabelën e rezultatit nuk përkon me numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›