Pirdeni: Shqipëria merr statusin e shtetit vëzhgues në Rrjetin Evropian të Administratës Publike

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Shqipëria ka marrë zyrtarisht pjesë në takimet e organizuara në kuadër të Presidencës Polake të Këshillit të Bashkimit Evropian në datat 13-14 mars në Varshavë të Polonisë.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni ka ndarë lajmin se vendi ynë ka marrë pjesë në statusin e shtetit vëzhgues në Rrjetin Evropian të Administratës Publike (EUPAN).
Ministrja Pirdeni pohon se, “përfaqësuesit e Shqipërisë morën pjesë në këtë takim pune me përfaqësues të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, ku diskutimet u përqëndruan në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira lidhur me prioritetet dhe sfidat e administratave publike evropiane, duke përfshirë etikën, inteligjencën artificiale, administratën e gjelbër, digjitalizimin e shërbimeve publike si dhe burimet njerëzore”.
Rrjeti EUPAN është platforma kyçe e Bashkimit Evropian për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe promovimin e inovacionit në administratën publike në nivel evropian.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin e mbyll postimin në rrjetet sociale me një falënderim për Presidencën Polake të Këshillit të BE-së për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm, ku Shqipëria mori pjesë si vëzhguese. /e.i. /a.g/
