Pirlo: Jemi po aq të fortë sa Milani dhe Interi
Andrea Pirlo nuk dëshiron që Juventusi të ndihet inferior ndaj Milanit dhe Interit dhe mendon se skuadra e tij, mund të konkutojë shumë mirë me skuadrat e vendeve të para. “Jemi shumë pranë”, ëshë shprehur mesfushori italian. “Kur nis një sezon i ri, të gjithë janë të barabartë. E rëndësishmja që të mos kemi limite, duhet të synojmë maksimumin dhe të fitojmë. Nëse do të synojmë këtë gjë do të arrijmë të marrim më të mirën”. Pirlo foli edhe për trajnerin bardhezi, Antonio Konte, për të cilin ka një admirim të madh. “Konte më kujton pak Lipin. Ata kanë të njëjtën vendosshmëri”. Fantazisti është shprehur se ai nuk është ende gati për t’iu bashkuar tifozëve anti-Milan. “Më duket ende shumë herët një gjë e tillë. Kam kaluar dhjetë vjet atje dhe mendoj se është ende herët për t’i harruar. Unë ndihem i rëndësishëm, kam fituar gjithçka, por në itali është shumë e vështirë që të flitet për lojtarët italianë. Duket se të huajtë bëjnë më shumë audiencë. Unë kam ardhur tek Juventusi për të treguar vlerat e mira dhe për të fituar këtë sfidë. Anjeli? Më ka bërë një përshtypje shumë të madhe, ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të fituar, të njëjtën që kemi edhe ne lojtarët. Eshtë e rëndësishme që presidenti është pranë skuadrës. Juvja meriton që të jetë në pozicionet më të mira dhe të fitojë. “Krasiç? Më ka bërë shumë përshtypje mënyra e tij e lojës. Eshtë një lojtar shumë i shpejtë dhe shumë teknik. Mendoj se këtë sezon do të bëjë një vit të mrekullueshëm dhe shpresoj që të jetë kostant”, përfundoi mesfushori bardhezi.
Rosi më pranë
Duket se Vilareali ka ulur pretendimet dhe se Xhuzepe Rosi është më pranë Juventusit. “Kanarinat” spanjolle nuk e lëshonin lojtarin për më pak se 35 milionë euro, por këmbëngulja e bardhezinjve për të mos paguar më shumë se 30 duket se ka bërë efekt. Sidoqoftë, para të thata bardhezinjtë nuk do të shpenzojnë më shumë se 25 milionë, pasi pjesa tjetër do të mbulohet me përfshirjen e një lojtari, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Marko Mota.