E Diel, 1 Nëntor 2026

Etihad-Siti, mashtrimi që shmang fair-play financiar të Platinisë

Gjendet mashtrimi që i bën bisht fair-play financiar të Mishel Platinisë. Sponsorizimi-rekord i shoqërisë ajërore “Etihad” te Mançester Siti fsheh (por jo edhe shumë) një konflikt interesi të jashtëzakonshëm, që fshin çdo shkelje për të shumëdiskutuarin fair-play financiar, vetëm për të krijuar një futboll më të “përmbajtur”. Siti dhe “Etihad Airlines” kanë lidhur markën e tyre për 10 vitet e ardhshme, me rreth 400 milionë euro që do të “derdhën” në arkat e klubit të Roberto Mançinit (150 nga të cilat janë të lidhura me modifikimin e emrit të stadiumit, që sot e tutje “Etihad Stadium”). Problemi? Shoqëria ajërore e Emirateve të Bashkuara Arabe është në pronësi të pushtetit lokal dhe Siti është i sheikut Mansur Bin Zajed, një pjestar i familjes mbretërore të Emirateve. Edhe pse ky tip “auto-sponsorizim” nuk është një e re në futboll (mjafton të mendohet për Parmën dhe Parmalatin e Tanzit, për Kievon dhe Paluanin e Kampedelit, për Sampdorian dhe Erg-un e Garrones…), duhet nënvizuar se si dimensioni e marrëveshjes Etihad dhe Siti ka vënë në rrezik të gjithë konceptin e fair-playt financiar, saqë UEFA ka lajmëruar qëllimin për të monitoruar me kujdes të gjitha marëveshjet e këtij tipi: “UEFA do t’i besojë më ekspertëve financiarë për të vlerësuar nëse matja e këtyre sponsorizimeve është me të vërtetë korrekte”, deklaroi një zëdhënës për “Indipendent”. E përditshmja britanike citon edhe komentin e një përgjegjësi të tifozerisë së organizuar të Arsenalit, që e cilësoi këtë situatë si “një ndeshje futbolli në të cilën një skuadër luan duke respektuar rregullin e pozicionit jashtë loje, ndërsa tjetra zgjedh ta injorojë”. Një metaforë që detyron reflektimin. Vështirë të imagjinohet që hetimi i UEFA-s mund të bllokojë projektet e mëdha të Sitit të “targuar” Etihad: Platini, deri tani, ka treguar gjithmonë se mendon mirë, kjo sepse ky futboll i sëmurë ka nevojë si buka për kapitale për t’u investuar. Morali? Fair-Play financiar është i mirë vetëm me fjalë, por me fakte asnjërit nuk i intereson. Asnjë pikë (edhe pse peshon 400 mln euro) s’do të mund ta derdhë qypin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›