E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirro Dhima deputet i PASOK, i pari në listën e kandidatëve

ATHINE - Peshëngritësi i njohur Pirro Dhima do të jetë deputet i ardhshëm i PASOK, pasi ai është i pari në toplistën me 12 kandidatët, të cilët e kanë të sigurt hyrjen në parlamentin e ri grek pas zgjedhjeve të 6 Majit.

Shpallja u bë sot pasdite nga kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, i cili publikoi listën prej 12 kandidatësh. “Pirro me 4 medalje olimpike, simbolizon Greqinë që përpiqet, përpiqet dhe nevojitet përsëri të qëndrojë drejt. Ne duhet të heqim barrën e rëndë të varësisë financiare, peshën e madhe e memorandumit dhe kemi nevojë për një ton optimizmi se do të kemi sukses. Unë dua ta falënderoj, sepse Pirro ka rënë dakord të bashkohet me politikën aktive, së bashku me pjesën tjetër të kandidatëve 11 tanë. Ai ka nderuar Greqinë, ka ngritur flamurin grek, na ka bërë të dëgjojmë me krenari himnin kombëtar dhe një person që simbolizon unitetin, duhet nderuar", tha Venizelos gjatë komentit të tij për kandidatin e parë të listës.

42 vjeçari Pirro Dhima është atleti më i suksesshëm në historinë olimpike e sportive greke dhe deri tani peshëngritësi i vetëm me tre medalje ari (1992, 1996, 2000) dhe një bronxi (2004). Pirro Dhima që nga 11 tetori 2008 është president i Federatës së Peshëngritjes në Greqi.

Pas Pirro Dhimës në listën e 12 kandidatëve të parë të PASOK, figurojnë zëdhënësi i partisë, anëtarë të saj, avokatë, pedagogë, ekonomistë, arkitektë, mjekë, inxhinierë, dhe përfaqësues nga shoqëria civile, njerëz që sipas Venizelos, "janë të suksesshëm në fushat e tyre dhe përfaqësojnë Greqinë krijuese e optimiste".

Edhe partia "Demokracia e re" shpalli toplistën e kandidatëve të saj, ku bëjnë pjesë juristë, gazetarë, inxhinierë, profesorë etj. Sipas kreut të partisë, Antonis Samaras, "kjo listë pasqyron dëshirën tonë për të bërë transparencë, për vendosjen dhe administrimin e drejtësisë, por edhe për pavarësinë e gjyqësorit. Këta njerëz do të përmbushin kërkesat e qytetarëve për të rivendosur kudo zbatimin e ligjit".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›