Pirro Milkani: Filmat tanë të varfër, por cilësore
Kinematografia shqiptare në një kohë të shkurtër ka shënuar një sërë suksesesh, sipas regjisorit të njohur Pirro Milkani, suksese në fakt që nuk justifikohen aspak me buxhetin tepër të ulët që ka sot Shqipëria për prodhimin e filmit shqiptar. Në prezantimin e filmit “Amnistia” regjisori i njohur Pirro Milkani vuri dorën në plagën e kinematografisë shqiptare: financimi shumë i ulët që shteti jep për prodhimin e filmit shqiptar. Një debat në fakt që ka nisur qysh në fund të vitit 2010 në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik dhe që vazhdon të jetë i ndezur edhe mes kineastëve, aktorëve, skenaristëve etj. të filmit shqiptar. “Suksesi i filmit ‘Amnistia’ është suksesi i gjithë kinematografisë shqiptare, sepse Shqipëria është një vend i vogël me një buxhet shumë të vogël, që prodhon pak filma.”- u shpreh regjisori Milkani për suksesin më të fundit të filmit shqiptar “Amnistia”, që është përzgjedhur të përfaqësojë kinemanë shqiptare në kategorinë “Forum”. Filmi i Bujar Alimanit është realizuar në një kohë rekord, që kur bordi drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë vendosi që ta mbështeste atë financiarisht. Suksesi i këtij filmi nuk është vetëm pjesëmarrja në Festivalin e Berlinit, por dhe realizimi i një filmi cilësor në pak kohë dhe pak buxhet. Gjithsesi, ky fakt i ka dhënë më shumë shtysë kërkesës së drejtuesve të Qendrës Kinematografike për të ngritur zërin për më shumë mbështetje financiare. “Nëse në Berlin ky film u seleksionua minimumi në një festival të kategorisë A ku shkojnë 800-1000 filma nga gjithë bota dhe pastaj kanë fat të zgjidhen 11 filma. Por duke marrë parasysh këtë sukses dhe duke patur parasysh faktin se ky nuk është suksesi i parë i filmit shqiptar, ashtu siç dhe shkruhet, duhet të kemi parasysh se brenda një kohë kaq të shkurtër një aktor shqiptar arrin të hyjë në 10-shen e aktorëve më të mirë europianë, një film shqiptar hyn në Berlin dhe filma të tjerë përfaqësohen denjësisht në festivale ndërkombëtare. Mendoj se ka ardhur koha të sensibilizojmë dhe opinionin publik që Shqipëria, Qendra Kombëtare e Kinematografisë meriton më shumë buxhet.”- tha Milkani, që pranon gjithsesi se një buxhet i lartë jo domosdoshmërisht do të thotë nivel i lartë. “Buxheti për prodhimin e filmit shqiptar është sa gjysma e buxhetit të Maqedonisë dhe fare mirë mund të themi se kinematografia shqiptare është shumë më lart se ajo e Maqedonisë. Por nëse flitet për një kinematografi rumune në Ballkan, që këto vitet e fundit po merr çmime në kompeticione të rëndësishme, me këto suksese të kinematografisë sonë do të thotë se ka filluar të ndihet dhe të rritet rëndësia dhe vlera e kinemasë shqiptare”- përfundon regjisori Pirro Milkani, i cili në fund i qëndron besnik tezës se sasia sjell më shumë cilësi dhe nëse Qendra Kinematografike Shqiptare do të kishte më shumë mundësi për prodhimin e sa më shumë filmave, aq më shumë do të rritej edhe cilësia. Dy vitet e fundit fondi për Qendrën Kombëtare Kinematografike është reduktuar, çka u bë dhe temë debati në diskutimet për buxhetin e kësaj qendre në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, ku vetë kryetari Minarolli përsëriti kërkesën e tij për rritje të buxhetit. Sipas tij, fondi për prodhimin e filmit shqiptar nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të kineastëve shqiptarë. Varfëria është një “status” domethënës për një kineast, sepse e detyron atë të kërkojë përmes statusit të tij natyror, të mundurën tek e pamundura. Këtë në fakt ka bërë Bujar Alimani me filmin e tij “Amnistia”, një shembull se si mund të bëhet një film i mirë me buxhet të vogël.
Edhe një tjetër shqiptar në Berlin
Festivali i Berlinit duket se i ka hapur mirë dyert për regjisorët shqiptarë. Pas zbulimit regjisorial që i bëri Bujar Alimanit me filmin “Amnistia”; një tjetër regjisor i ri shqiptar do të jetë pjesë e Kampit të Talenteve në Berlin. Regjisori Gentian Koçi merr pjesë në edicionin e këtij viti me dy filmat e tij me metrazh të shkurtër “Antena” dhe “Për ters atë çast”, të cilët kanë fituar disa çmime në festivale ndërkombëtare, të nivelit të shkollave dhe akademive të filmit, mes të cilave edhe në Mynih, Milano, Bazel, Tel Aviv, Sofje, Prishtinë.