E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat, specializantët e Mjekësisë, sot në protestë

Specializantët e Mjekësisë, të shpallur fitues në konkurset me shkrim do të protestojnë sërish sot, për të kundërshtuar moszbatimin e rregullores së specializimeve. Në këto kushte, ata i janë drejtuar nëpërmjet një letër ankese, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, të cilëve u kërkojnë zbatimin e gjashtë kërkesave. “Ne, mjekët fitues të ligjshëm të specializimeve afatgjata të Mjekësisë, për shkak të moszbatimit të rregullores së konkursit për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë dhe shkeljes flagrante të saj kërkojmë: anulimin e të gjithë konkurseve me gojë, në rastet kur nuk është zbatuar rregullorja e konkursit për specializimet afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë; zhvillimin e konkursit me gojë në bazë të po kësaj rregulloreje, ku të drejtën e futjes në ‘provimin me gojë’ e kanë vetëm fituesit në rang departamenti; kërkojmë nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, të mos miratojë asnjë listë përfundimtare, ku fituesit shallen duke u bazuar në shkeljen flagrante të rregullores; kërkojmë nga rektori i Universitetit të Tiranës, të urdhërojë zbatimin e rregullores pikë për pikë; i kërkojmë Ministrisë së Arsimit të ushtrojë të gjitha funksionet e saj të parashikuara me ligj për garantimin dhe zbatimin e kësaj rregulloreje”, - thuhet në ankesën e tyre. Në fund ata kërkojnë një takim zyrtar me përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit, Rektoratit dhe Dekanatit, si institucione përgjegjëse për procesin e konkurimit, me qëllim leximin dhe përshkrimin pikë për pikë të rregullores.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›