E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirueta parlamentare e Ramës, sinjalizuese e vazhdimësisë së “Rrugës së vetme”

20-09-2011 / Redaksionale

Një njeri i zakonshëm që kish parë në edicionin e mesditës mbledhjen e ditës së hënë të grupit të Parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se veshja e Edi Ramës nuk ishte serioze. E kish fjalën për kombinimin e çuditshëm të kollares ylberiste shumëngjyrëshe me kostumin e zi pis.
Më pak të habitur ishin deputetët socialistë që të mësuar me gafat e kryetarit ishin të vëmendshëm ndaj fjalëve të tij, edhe pse në tryezë askush prej tyre nuk kish një copë letër dhe stilolaps për të shënuar xhevahiret populiste.
Me zemërgjerësi po u themi se Rama u tha deputetëve të tij që brenda kësaj jave do të depozitohet nisma për heqjen e TVSH-së për bukën, vezëve, qumështit dhe ilaçeve, si dhe uljen e saj ne tërësi për ushqimet baze. Kjo nismë ka të gjitha tiparet dhe atributet për të qenë një tezë populiste, me efekte krejt propagandistike. Sepse në rast të një uljeje të themi të shkallës statutore të TVSH-së, nuk është se do verifikohej një ulje substanciale në njëjtën masë e çmimeve, pra, tregtarët punojnë me marzhet e fitimit të fiksuara tashmë. Sepse kërkohet kohë e gjatë që biznesi vendas, njësoj si homologët e tij nëpër botë, të edukohet me marzh fitimi pak më të larte, se sa marzhet që fitojnë bankat në investimet e kursimeve të popullatës. Dhe për paradoks ato që fitojnë më së shumti nga përshkallëzimi janë shtresat e pasura dhe jo shtresat në nevojë, pasi është shtresa e mesme që konsumojnë më shumë produktet ushqimore për të cilat flasim. Kësisoj ulja e taksave të konsumit nuk lehtëson të varfrit, por një tjetër shtresë. Këtë logjikë e kanë të vështirë ta kuptojnë ekonomistët socialistë?
Megjithatë  është disi  e papranueshme që deputetët miliarderë të PS-së të flasin në emër të shtresës në nevojë. Ata janë një kundërthënie morale, që u zbeh kauzën qysh në hapat e para. Demagogjia me ilaçet e shtrenjta është normale të përdoret për të fituar kapital politik nga ana e opozitës, sepse edhe pse sëmuremi gjithmonë e më pak, prapë të shtrenjta na duken ilaçet që janë të domosdoshme kur je në moshën e tretë. Mirëpo për këtë moshë PS-ja nuk ka pasur kurrë një politikë favorizuese, përkundrazi ka argumentuar kundër edhe rritjen konstante të pensioneve që qeveria Berisha I, II, ka realizuar përgjatë dy mandateve.
Përgjatë predikimit të tezave populiste, Edvin Rama u foli deputetëve edhe për vendimin që kishin marrë bashkë me Kol Nikollën për t’i rikthyer minatorët e Bulqizës në një grevë urie të dytë. Edi Rama është shprehur me tone imperialiste: fitorja duhet të jetë e plotë. E pamjaftueshme greva e parë që zgjati mbi 20 ditë. Kësaj radhe kërkohet jo vetëm rritje rroge 40 përqind për minatorët, por edhe nxitjen e Prokurorisë për arrestuar qytetarë që s’kanë asnjë lidhje me Bulqizën, por që kanë lidhje me problemet e Ramës me drejtësinë. Kjo tregon se greva e dytë e minatorëve po bëhet për të kënaqur jo më familjet e minatorëve, por dëshirat oligarkike të Ramës. Natyrisht ai u rikujtoi të gjithëve se do të ketë kushtëzim të reformave dhe ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 të votave në Kuvend. U kërkoi deputetëve të tërhiqen të gjitha draft ligjet në Komisionin e Ligjeve, pasi më pas do të këtë një qasje tjetër ndaj maxhorancës në Parlament. 
Dhe kjo pirueta e radhës e Ramës ndaj ofertave të maxhorancës për bashkëpunim është sinjalizuese për përvijimin e rrugës së vetme, domethënë të agjendës konfliktuale me qeverinë Berisha dhe shumicën parlamentare.
Sidoqoftë e vërteta  kursit të ri socialist, një mund të thuhet: siç është kombinim i çuditshëm i kollares ashtu edhe kombinimi i Parlamentarizmit me Kushtëzim. Meqë doli cullak nga pushteti i Bashkisë, i është kthyer publicistikës për të vazhduar strategjinë e demonizimit të kundërshtarit, fajin e ka Saliu.  Kjo mbas dështimeve të njëpasnjëshme për ta larguar “Saliun” kryeministrin Berisha me protesta, bojkot, greve urie, bllokim rrugësh, bërtitje deri në kupë të qiellit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›