E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Vlerësojmë propozimet e opozitës, por ato të mos jenë bllofi i radhës i Edi Ramës”

20-09-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit e ka klasifikuar si të papranueshëm deklarimin e kreut të opozitës për tërheqjen e të gjitha projekteve ligjore, që plotësojnë 12 rekomandimet e BE-së. Ajo ka konfirmuar se mirëpret propozimet konkrete, nga cilado anë që të vijnë, por paralajmëroi se ata që do bllokojnë miratimin e ligjeve, do jenë përgjegjës për vonesat në procesin e integrimit


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka hedhur poshtë çdo alibi të socialistëve se ajo ka refuzuar ende pa u dorëzuar, ndryshimet që Partia Socialiste ofron në formën e një pakete për rregulloren e Parlamentit. Topalli iu referua deklarimit të kryesocialistit Edi Rama i cili e ka lexuar si kundërshtim qëndrimin e kryeparlamentares Topalli, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Debati në distancë lidhet kryesisht me mënyrën e votimit të organeve Kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, me votim të hapur apo të fshehtë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një takimi me stafin e ngushtë të kryetarit të Kongresit amerikan, por edhe në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetarja e Kuvendit nuk e shmangu qëndrimin “pro” votimit të hapur, një standard që aplikohet edhe në Kongresin amerikan në çdo votim, por ajo tha se mazhoranca mbetet e hapur për t’i shqyrtuar këto ndryshime ndaj s’ka arsye për të aluduar për ndonjë refuzim nga ana e saj. “Unë nuk mund të refuzoj diçka që nuk e kam në dorë, as në mënyrë formale as në mënyrë informate. Si kryetare e Kuvendit dua të them se Kuvendi i Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit, është i hapur dhe mirëpret çdo iniciativë e cila çon në përsosjen e mëtejshme të standardeve. Një qëllim kryesor kam, ose një fiksim, standardet. Ne mirëpresim për të shqyrtuar dhe për të diskutuar çdo propozim ngado që ai të vijë, për të përsosur më tej standardet e funksionimit të jetës parlamentare dhe politike në përgjithësi. Unë nga momenti që do të kem në dorë diçka, natyrisht kam të drejtën për ta krahasuar me standardet e vendeve dhe parlamenteve demokratike. Unë jam njeri që dua transparencën dhe ajo që unë admiroj në mënyrë pa diskutueshme është mënyra e funksionimit të Kongresit amerikan”, u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja Topalli komentoi qëndrimin e kryesocialistit për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Edi Rama kërkoi në mbledhjen e grupit parlamentar që ligjet t’i rikthehen edhe njëherë procedurës së shqyrtimit në komisione. Kjo për kryetaren e Parlamentit, është bllokim dhe një qëndrim që penalizon mbi të gjitha procesin e integrimit Evropian. “Nuk do të doja ta paragjykoja, por nëse kërkohet tërheqja e drafteve mbi të cilën kanë punuar të gjithë deputetët, të mazhorancës dhe opozitës, atëherë nuk është një ‘kurs i ri’ por është bllokim. Nuk është kurs i ri po është bllok dhe nga bllokimi siç e dini ju, Shqipëria ka humbur dy vite në aspektin e arritjes së stacioneve të reja drejt integrimit. Nëse dikush kujton se përmes bllokimit apo kursit të vjetër, politikës së vjetër, të humbnim edhe një vit tjetër, kjo do të ishte shumë e rëndë. Integrimi nuk pranon kurrë kushte. Ligjet nuk janë as arna dhe as zhele. Për ligjet dhe draft-ligjet duhet pasur shumë respekt. Unë shfrytëzoj rastin për të ftuar Edi Ramën, për ta rimenduar edhe njëherë për të mos bllokuar procesin e integrimit”, deklaroi më tej kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.      


Investimet e huaja në Shqipëri kapin shifrën e një biliard dollarëve


SHBA vlerëson Shqipërinë si vend mik që ka bërë përparime të shkëlqyera


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli paraqiti dje përpara medias rezultatet e vizitës së saj disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar të merrte pjesë në punimet e Forumit Parlamentar për Demokraci, në Uashington, ndërsa ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Kongresit Amerikan dhe Departamentit të shtetit. Topalli vlerësoi se Forumi parlamentar për Demokraci është një nga forumet, i cili është ngritur gjatë viteve të fundit si një institucion, brenda së cilit marrin pjesë personalitetet më të rëndësishme në shkallë globale. “Ky Forum mblidhet me një qëllim të vetëm; për të forcuar parlamentarizmin dhe për të mbështetur të gjithë ata parlamente, të cilët kanë vullnetin e fortë dhe kanë për qëllim të ecin përpara në rrugën drejt forcimit të demokracisë, tha ajo, duke shtuar se, në botë nuk ekziston vetëm një model demokracie, pasi Historia ka treguar se, në mënyrë të veçantë në vende të ndryshme të botës, ka modele të ndryshme të demokracisë, por që të gjitha mbështeten në një sistem të caktuar vlerash universale”. Kryeparlamentarja Topalli tha se gjatë këtij forumi ka informuar të pranishmit të rreth demokracisë në Shqipëri, për mrekullinë dhe magjinë që liria ka bërë në Shqipërinë tonë. “Fola për rrugën 20 vjeçare gjatë së cilës Shqipëria jo vetëm që ka bërë të mundur përmes përpjekjeve, reformave, transformime të jashtëzakonshme në të gjitha fushat. Përmes përpjekjeve dhe reformave jemi bërë anëtarë të NATO-s. Ndërsa të gjithë kemi parasysh se, nga vendi më i izoluar në botë 20 vite përpara, sot jemi një vend, në të cilin qytetarët lëvizin të lirë dhe pa viza”, theksoi Topalli, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria është një vend lider në rajon për sa i takon investimeve të huaja direkte, duke arritur në vlerën e një biliard dollarëve, kur vetëm katër vite më parë kjo shifër ishte 256 milion dollarë. Duke u ndalur te takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë të Kongresit amerikan dhe Departamentit të Shtetit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se u diskutua “mbi procedurat parlamentare në Kongresin amerikan”. Sipas saj, “Kongresi amerikan është shkalla më e lartë e demokracisë dhe e transparencës maksimale që mund të ekzistojë në procedurat parlamentare dhe në votime, një model të cilin ne e shohim si një target drejt së cilit ne duhet të avancojmë. Jam shumë e gëzuar që stafi i ngushtë i kryetarit të Kongresit amerikan më premtoi që do të bëjë sa më shpejt të mundur që një grup i vogël deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë nga mazhoranca dhe opozita të vizitojë Kongresin amerikan, për të qenë vetë dëshmitarë, të procedurave të tyre parlamentare, të seancave Hearing në komisione të ndryshme parlamentare, të mënyrës së kontrollit, të fuqisë që Kongresi amerikan ka në jetën politike”, tha ajo. “Pata mundësinë që të takohem në Departamentin e Shtetit me Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, tha Topalli, i cili sipas saj, është një personalitet, një njohës i jashtëzakonshëm, jo vetëm i zhvillimeve politike në rajon, në Shqipëri, por edhe më tej”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›