E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha ne Shen Martin

Përrallë Krishtlindjesh

Kjo është përralla e përvitshme e Krishtlindjeve që shkrimtari i njohur brazilian Paolo Coelho e publikon në blogun e vet në internet për të gjithë lexuesit. Ne e sjellim për lexuesin shqiptar së bashku me një mesazh urimi

Në prag të Krishtlindjeve, famullitari i fshatit të vogël Shën Martini, në malet Pirene, ishte gati të kremtonte meshën, kur nisi të nuhaste një aromë të këndshme. Ishte dimër, lulet ishin zhdukur prej kohësh, por ende nuhatej ajo aromë sikur pranvera të kishte ardhur jashtë radhe. Kureshtar, ai doli jashtë të kërkonte shkakun e kësaj mrekullie, por vështrimi i rroku një djalë të ulur në pragun e derës së shkollës. Në krah të tij dukej një pemë e artë Krishtlindjesh. “Sa pemë e bukur!”, tha famullitari. “Duket sikur ka prekur qiellin që ka këtë aromë hyjnore! Është e bërë prej ari të pastër! Ku e gjete këtë pemë?. Djaloshi nuk dukej shumë i kënaqur nga fjalët e priftit. “Është e vërtetë se dega që mora me vete po rëndohej gjithnjë e më tepër, ndërsa unë ecja, dhe halat e pishës po rëndoheshin gjithashtu. Por nuk mund të jetë prej ari dhe unë trembem nga ajo që prindërit e mi do të thonë”. Djaloshi nisi të tregojë historinë e tij: “Këtë mëngjes u nisa për në qytetin e madh të Tarbes. Në xhep kisha paratë që nëna ime më dha për të blerë pemën e Krishtlindjeve. Por, kur po kaloja përmes një fshati pashë një grua të vjetër të vetmuar, e cila nuk kishte familje për të kaluar darkën e Krishtlindjeve me ta. I dhashë disa para për darkë, sepse isha i sigurt se do të mundja të blija një pemë Krishtlindjesh që do të kushtonte më pak nga sa më kishte dhënë nëna. Kur mbërrita në Tarbes, kalova përpara një burgu të madh dhe atje pashë një grumbull njerëzish që prisnin jashtë për të takuar të burgosurit. Ishin të gjithë të trishtuar për ata që do ta kalonin natën larg njerëzve të dashur. Madje dëgjova disa të thoshin se nuk kishin para as sa për të blerë një copë kek Krishtlindjesh. Pikërisht në këtë kohë, i shtyrë nga mallëngjimi i moshës sime, vendosa të ndaja paratë e mi me këta njerëz, të cilët kishin më shumë nevojë për to se sa unë. Unë mbajta aq sa më duheshin për drekën; luleshitësi është një mik i familjes dhe ai me siguri do të më jepte një pemë dhe unë do të punoja gjithë javën tek ai për të shlyer borxhin tim. Por, kur arrita në treg, pashë se luleshitësi nuk kishte dalë në punë. U ndjeva aq keq sa po lutesha të gjeja dikë që të mund të më jepte hua paratë për të blerë pemën në një vend tjetër, por ishte e kotë. E binda veten se do të isha në gjendje të mendoja më mirë për një zgjidhje, pasi të kisha ngrënë diçka. Kur u afrova në një bar, një djalosh me pamje prej të huaji, më pyeti nëse mund t’i jepja atij disa para, sepse nuk kishte ngrënë gjë prej dy ditësh. Imagjinova se Jezuzi fëmijë duhet të kishte qenë më se një herë i uritur, i zgjata atij pjesën e parave që më kishte mbetur dhe u nisa për në shtëpi. Rrugës theva një degë pishe; u përpoqa të dukej e bukur duke e zbukuruar, por ajo bëhej gjithnjë e më e rëndë dhe ishte shumë larg pemës së Krishtlindjeve që priste nëna ime”. “Djali im i dashur - tha prifti, aroma e kësaj peme nuk të lë dyshime që ajo është prekur nga fryma qiellore. Më lejo të tregoj vazhdimin e historisë. Sapo ju u larguat nga gruaja plakë e vetmuar, ajo i kërkoi Virgjëreshës Mari, një nënë si ajo, të lëshonte mbi ju një bekim të papritur. Të afërmit e të burgosurve ishin të sigurt se kishte ardhur një engjëll dhe u lutën duke falënderuar engjëjt për kekun e Krishtlindjeve që blenë. Djaloshi që takove falënderoi Zotin që arriti të kënaqte urinë e tij. Virgjëresha, engjëjt dhe Jezusi dëgjuan lutjet e atyre që ndihmove. Kur theve degën e pishës, Virgjëresha e bekoi me aromën e falënderimit. Gjatë rrugës, engjëjt prekën halat e pishës dhe ato u kthyen të arta. Më në fund, kur gjithçka ishte gati, Jezusi e bekoi këtë pemë dhe që atëherë kushdo që e prek këtë pemë Krishtlindjesh do t’i falen mëkatet dhe do t’i përmbushen dëshirat”. Dhe kështu ndodhi. Legjenda thotë se pema e shenjtë është ende në Shën Martin. Fuqia e saj është kaq e madhe, sa të gjithë ata që ndihmojnë shokët e tyre në prag të Krishtlindjeve, edhe pse mund të gjenden larg fshatit të vogël në Pirene, bekohen nga kjo pemë.

(Frymëzuar nga një përrallë hasidike)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›