Berg: Ja pse nuk e financuam Petroliferën
Flet Drejtori i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim për projektet e energjisë në Shqipëri
“Ne financojmë projektet që kanë një bazë ekonomike dhe impakte pozitive në zhvillimin e vendit”
Projekti që ka hasur në qëndresën më të fortë qytetare në vend, depozitat e naftës në Vlorë, nuk kanë mundur që të marrin një financim nga ana e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas BERZH, kërkesa është marrë në shqyrtim nga ana e bankës, por nuk është rënë dakord që kjo kredi të jepej. Drejtori i BERZH për Shqipërinë, Daniel Berg sqaron në një intervistë për gazetën, aktivitetin e BERZH në Shqipëri dhe projektet e këtij institucioni.
Z.Berg, cilat janë projektet që financon banka juaj?
BERZH, financon të gjitha ato projekte që premtojnë të jenë të suksesshëm dhe që plotësojnë standardet për të cilat BERZH është shumë strikte. Projektet që financohen nga ne, janë përgjithësisht ato që kanë nivele të larta financimi dhe kanë një impakt pozitiv në zhvillimin e vendit. Gjatë viteve në Shqipëri ne kemi financuar projekte nga më të ndryshmet, përfshi këtu rrugët, sektorin e energjisë në vend, furnizimin me ujë, etj. Por një pjesë e madhe e financimeve gjatë vitit të fundit janë të përqendruara në sektorin privat. Gjatë vitit të kaluar ne kemi financuar disa projekte që kanë një vlerë totale prej 22.6 milionë eurosh.
Pse BERZH nuk pranoi të jepte kredi për projektin e depozitave të naftës në Vlorë?
Për ne nuk ishin të pranueshme kushtet dhe termat e kredisë me të cilat u kërkua që të realizohej ky investim. Ky është një projekt që ka patur një debat të gjerë në publik dhe mendoj se është e rëndësishme që komuniteti të japë mendimin e tij në këto investime. Por nuk mund të them që për vendimin nga ana jonë për të mos financuar këtë projekt është impakti që ai ka në mjedis, thelbësori. Në marrjen e vendimit për të dhënë një kredi prej miliona eurosh, specialistët e bankës marrin në shqyrtim shumë terma të një plani investimi. Pra duhet që të jemi të saktë në atë që institucioni përfaqëson. Ne nuk jemi një bankë komerciale dhe kemi standarde të tjera në financimin e një projekti, por ne skualifikojmë projekte të mira dhe të pavlera. Në të dy rastet, ka disa pika që investitorët nuk i plotësojnë dhe skualifikohen. Por vendimi i marrë nga ana jonë nuk i ndalon investitorët që të kërkojnë financim në një bankë tjetër.
A mendoni se ndërtimi i depozitave të naftës në atë zonë është i rrezikshëm për turizmin?
Në radhë të parë, të gjithë projektet duhet që të zbatojnë standardet, në të cilat futet edhe mbrojtja e mjedisit. Por unë mendoj se problemi i naftës në bregdet dhe rreziku që ajo mbart për natyrën, nuk lidhet vetëm me ngritjen e një terminali depozitash. Nafta aktualisht vjen nga deti me anije dhe duhet që të jemi të qartë se edhe ky aktivitet ka një risk të madh për gjithë bregun, nëse mund të ndodhi ndonjë aksident dhe nafta të derdhet në det. Por siç e thashë më lart, një gjë duhet të jetë tejet e rëndësishme për këto projekte, ruajtja me rigorozitet e standardeve. Edhe në Nju Xhersi, në vendlindjen time, ka me dhjetëra terminale të tilla energjie. Por duke vendosur standarde, është bërë e mundur që të ketë një harmoni midis zhvillimit dhe ruajtjes së mjedisit.
Kush janë strategjitë tuaja në Shqipëri?
Banka jonë nuk ka të përjashtuar nga aktiviteti i saj sektorë të caktuar të ekonomisë, ne jemi të gatshëm të financojmë investime publike dhe private nëse ato vërtet janë të vlefshme. Por 5 prioritet që ne kemi në Shqipëri, janë: zhvillimi i infrastrukturës, energjia, privatizimi dhe rikonstruksioni i ndërmarrjeve që kanë mbetur ende të paprivatizuara, zhvillimin dhe konsolidimin e sistemit financiar dhe vëmendja e veçantë ndaj biznesit të huaj dhe atij vendës dhe, veçanërisht, biznesit të vogël dhe të mesëm. Dua që të ndalem veçanërisht te aktiviteti privat. Unë personalisht jam i fokusuar në drejtim të financimit të sektorit privat. Arritja e standardeve të dëshiruara nga ana e kompanive shqiptare, është një proces tashme i nisur dhe që shpresoj të zhvillohet me shpejtësi.
A është Shqipëria një vend me stabilitet për investitorët e huaj?
Nuk mund të them që vendi nuk ka stabilitet, ju keni një inflacion të ulët dhe një rritje të lartë ekonomike. Por risku për investitorët e huaj është i pranishëm, megjithëse ky është një proces normal biznesi dhe për sipërmarrësit, risku është gjithmonë i pranishëm. Interesimi nga ana e biznesit të huaj për vendin tuaj është në rritje, pasi investimet në infrastrukturë kanë qenë të rëndësishme gjatë këtyre viteve. Deri pak vite më parë ju kishit një Aeroport tejet të amortizuar, ndërsa tani investitorëve u shërbehet në një aeroport cilësor. Infrastruktura rrugore ka pësuar ndryshime tejet të rëndësishme, ju nuk kishit këto rrugë 5 vite më parë. Pra, të gjitha këto zhvillime pozitive janë në favor të thithjes së investimeve të huaja.