Pitela takim me Topin: Drejt BE-së duhet qendrueshmëri politike

Për integrimin në Bashkimin Europian duhet të ketë qendrueshmëri politike. Ky ka qenë apeli i zëvendëspresidentit të Parlamentit Evropian, Xhovani Pitela në takimin me kreun e shtetit, Bamir Topi. Sipas njoftimit të Presidencës, Pitela, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në Bashkimin Evropian, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces. Ai vlerësoi lart rolin pozitiv e moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik duke vënë në pah gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane.
Ndërkohë, që gjatë fjalës së tij Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. "Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje, dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm", - theksoi Presidenti Topi.