E Diel, 1 Nëntor 2026

Pitella: Pas Pashkëve, kërkesë PE për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Giovanni Pitella, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryetarin e PS, Edi Rama

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Giovanni Pitella, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas këtij takimi, dy personalitetet mbajtën një konferencë të përbashkët. Në komunikimin e tij për mediat, Pitella tha se nga ana e tij institucionale, mori detyrën për të çuar përpara dy procese shumë të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave dhe integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Menjëherë pas festimeve të Pashkëve, kur të hapet Parlamenti Evropian, do të takoj komisioneren e sektorit dhe zonjën e nderuar Cecilia Malstrom, të cilës do i shpreh nevojën për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Pitella. Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, në fjalën e tij tha se protestave e socialistëve ka filluar. “Gjithë ky muaj do të jetë muaj protestash, që nuk do të vlerësohen nga numri i pjesëmarrësve, por nga përfshirja e qytetarëve në ngritjen e çështjeve jetike, që janë çështje të jetës së tyre të përditshme dhe që lidhen drejtpërdrejtë me atë që gjendet e kyçur në kutitë e votimit dhe në 30 prill”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›