Piter dhe Sandi, Bylis përgatit dy talente për të ardhmen
Dy lojtarët nuk kanë mbushur 17 vjeç, Piter ka një fizik për tu admiruar, të dy janë pjesë e Nigerisë U-17 dhe do të federohen me Bylisin në sezonin e ri
Gjatë sezonit të kaluar, presidenti Besnik Kapllanaj, përveçse afroi lojtarë shqiptarë dhe të huaj, kryesisht ballkanas, u përqendrua edhe në tregun afrikan të futbollit, madje duke afruar lojtarë cilësorë. Aktualisht, në skuadrën e parë luajnë si titullarë dhe kanë spikatur 21-vjeçarët Adebayo, Xhon Huan, Bola Olalekan dhe Izuçuku. Në stol është sulmuesi Jakob, ndërsa tek Apolonia janë huazuar Alo dhe Ibrahim, kurse të Tërbuni, Okoronko.
Por në skuadrën e parë stërviten edhe dy lojtarë që nuk kanë mbushur ende 17 vjeç, madje janë afruar në fundvitin e kaluar. Bëhet fjal렠për Oluatosin Sunday Adekunbi, i datëlindjes 10 gusht 1995. Ai luan si mesfushori i djathtë, por ka edhe tipare sulmuese dhe është shumë teknik dhe i shpejtë. Kurse tjetri është Olaynka Peter Oladeji, i datëlindjes 16 nëntor 1995.
Ky është sulmues, i gjatë 191 cm, me një fizik për tu admiruar. Ky i fundit dallohet për nuhatjen e golit dhe goditjet e forta. Që të dy nuk janë larguar për në Nigeri, ndryshe nga pjesa tjetër e nigerianëve. Madje ata edhe këto ditë, përveçse po kalojnë pushimet në Ballsh, ku janë akomoduar në kompleksin Gjanica, nuk e kanë ndërprerë stërvitjen.
Që të dy pritet që të jenë gati për fazën përgatitore, pasi do të federohen për sezonin e ardhshëm. Ishte trajneri Naxhi Shensoj ai i cili pikasi talentin e tyre dhe bashkë me presidentin Kapllanaj vendosën që ti mbajnë në ekip, duke qenë se kishin një të ardhme të sigurt.
Nigerianët firmosën kontrata të rregullta, të kënaqur edhe nga kushtet që gjetën në Ballsh, qoftë ato financiare, ashtu edhe akomodimi. Ata nuk janë federuar në ekipin e parë për probleme me dokumentacionin, duke qenë se nuk kishin mbushur të 18-at. Mirëpo, pritet që presidenti Besnik Kapllanaj të afrojë edhe familjarët e dy nigerianëve, madje ata edhe do të punësohen në Ballsh.
Priten të tjerë Duke qenë se tregu nigerian ka rezultuar frytdhënës për ballshiotët, te Bylisi, kur të nisë faza përgatitore, pritet që të afrohen të tjerë lojtarë nigerianë. Bëhet fjalë për futbollistë me të ardhme të datëlindjeve 1995, 1996, 1997, pjesë të ekipeve kombëtare të moshave, me të cilët do të nënshkruhen kontrata afatgjata.
Duket se Bylisi tashmë po punon me projekte dhe vetë presidenti Besnik Kapllanaj, së bashku me trajnerin Naxhi Shensoj, të cilit i ka lënë dorë të lirë në përzgjedhje dhe ndërtimin e formacionit, kanë si qëllim që sezonin e ardhshëm të jenë një skuadër rivale për kreun dhe Kupën e Shqipërisë. Ndaj, nuk po synohen emrat qoftë nga tregu shqiptar apo i huaj, por lojtarë punëtorë dhe me të ardhme, një strategji që i dha frytet e veta qysh në vitin e parë.
