Mersini: Luftëtari e meritoi Superligën, tani duhet ta ruajë
Mesfushori Ergys Mersini thekson se ekipi gjirokastrit ka pasur mendësinë e fituesit gjatë gjithë kampionatit që lamë pas, ndaj dhe triumfoi pa problem
Ergys Mersini, bashkë me Selimajn dhe Çaçon, të lindur në vitin 1989, Ramadanin dhe Raboshtën të 1990-tës, si dhe Bacin e Llukën të 1991-shit, formuan grupin e lojtarëve më të rinj të Luftëtarit të sezonit të fundit. Dhe, nëse do të jenë te ky edhe për sezonin e ri (sa mirë si grup), do të jenë më të rrezikshëm, pasi kanë një vit më shumë përvojë dhe kuptohet që në lojën e tyre ka rritje.
Homogjeniteti i tyre prodhon energji. Mersini, pas dy sezonesh me fanellën e Teutës, erdhi në Gjirokastër, që është edhe qytetit i tij i lindjes, për të veshur atë të Luftëtarit, me të cilin luajti 28 ndeshje, ndër to 12 të plota, duke realizuar edhe 4 gola. Ndër golat e tij më të rëndësishëm është ai i shënuar në fushën e Himarës (0-1), pasi i dha fitoren ekipit gjirokastrit.
Ai nuk u aktivizua në 2 ndeshje për shkak të 1 kartoni të kuq dhe 3 të verdhëve. Për Sportin shqiptar ai thekson se Luftëtari e meritoi plotësisht Superligën, por e rëndësishme është që ta ruajë sa më gjatë atë: Te Luftëtari, me sa jam në dijeni, të gjithë mbetën të kënaqur edhe nga ana financiare.
Kaluam një sezon të paharrueshëm, ku të gjithë u mobilizuam dhe arritëm atë që Gjirokastra e deshte dhe e kërkonte prej vitesh, kthimin e Luftëtarit në Superligë. Të dy stafet e trajnerëve, që e drejtuan ekipin përkatësiht nga një fazë, na ngulitën mendësinë e fituesit.
Dëgjova para se të niseshim për në Kukës, që Luftëtari do të humbiste, por trajneri ynë, Nevil Dede, kishte mendim tjetër dhe na bindi se i kishim mundësitë ta kapërcenim tensionin brenda dhe jashtë fushës.
Dhe realisht kështu ndodhi. E njëjta gjë na ka ndodhur edhe fazën e parë me Besën në Kavajë, ku kishim trajner Mustafa Hysin. Në të dy rastet ishim në avantazh dhe vendësit barazuan. Me këto ekipe Luftëtari do të përballet edhe në Superligë, ku duelet do të jenë më intersantë ndoshta.
Luftëtari do të luajë mes më të mirëve të futbollit shqiptar në vazhdim dhe besoj se do të jetë konkurrues, sepse drejtuesit e tij nuk do të bëjnë as prapa kthehu dhe as në vend numëro, por do të formojnë një ekip edhe më të fortë se ky që doli kampion i Kategorisë së Parë.
Nuk e fsheh dëshirën për të qenë edhe sezonin e ri pjesë e Luftëtarit, – ka thënë mesfushori Mersini, i cili ka bërë të ditur nga Tirana, ku banon, se ka oferta nga Besa dhe Bylisi, por në Gjirokastër atë e thërret kushtrimi i të parëve
