Vila: Golin e prisja edhe ndaj Katarit, kjo kombëtare ka të ardhme
Emiljano Vila, mesfushori me tipare sulmuese, ka shënuar golin e fitores në sfidën e djeshme ndaj Iranit duke i dhënë tri pikë përfaqësueses sonë. Natyrisht që Vila është një nga lojtarët e shumtë me perspektivë të ekipit tonë përfaqësues, ndërsa me ekzekutimin e topit në golin e djeshëm, ai ka treguar se mbetet një kandidat potent për një vend në 11-shen kuqezi.
Ndoshta duhet që të kisha shënuar qysh në miqësoren e parë ndaj Katarit, megjithatë edhe goli me Iranin më kënaqi shumë. Deri pak minuta para ndeshjes kam qenë në dyshim, nëse do të luaja apo jo sepse kam patur një problem muskular, por shtrëngova dhëmbët dhe me besimin që më dha trajneri dhe shokët e skuadrës u futa në fushë, dhash maksimumin dhe shënova.
Besoj se gjërat shkuan mirë për mua por edhe skuadrën, sepse ishte një miqësore që na vleu shumë për të ardhmen. Durrsaku Vila e ka nisur këtë sezon me përfaqësuesen në tribunë, por e ka mbyllur me një gol me peshë në miqësoren e djeshme. Megjithatë ai tregohet profesionist dhe i matur dhe më shumë se në aspektin personal, mendon për suksesin e skuadrës.
Ky është futbolli, ndodh që je në tribunë, në stol apo e nis ndeshjen si titullarë. E rëndësishme është që sa herë të ketë nevojë skuadra të jesh gati, dhe të bësh maksimumin. Dhe unë me këtë parim eci. Qoftë ata që janë në tribunë, qoftë ata në stol apo ata që e nisin nga stoli, janë lojtarë të kombëtres, ne jemi një dhe duhet të vihemi në shërbim të bluzës kuqezi, ky është qëllimi ynë i përbashkët.
Në këto dy miqësore ne kemi treguar rritje, po krijohet një grup me perspektivë, unë kam besim se do të mbajmë këtë ritëm edhe në ndeshjet e tjera, miqësore apo zyrtare që na presin. Skuadra momentalisht ka rini dhe shumë elementë me perspektivë në brendësi dhe unë besoj se nuk do të mungojnë edhe sukseset, – pohoi pas ndeshjes së djeshme, Emiljano Vila, autori i golit të fitores ndaj Iranit.
Mavraj: O sa mirë me qenë shqiptar, se prisja një mbështetje kaq të madhe
Mërgim Mavraj, dje luajti ndeshjen e dytë me ekipin tonë përfaqësues, por në krahasim nga miqësorja e zhvilluar me Katarin, dje ndaj Iranit padyshim që ka qenë nga lojtarët më të mirë në fushë. I saktë në ndërhyrje dhe me vision loje, Mavraj ka bërë diferencën për të dyja ekipet. Ai është ndier i ekzaltuar për këto dy ndeshjet që ka zhvilluar me ekipin tonë përfaqësues.
Ndonëse ka vetëm 180 minuta, ai tashmë ndihet si i shtëpisë dhe për këtë falënderon gjithë ambientin kuqezi, duke filluar që nga trajneri De Biazi, shokët e skuadrës dhe mbi të gjitha tifozët që edhe dje e kanë mbështetur përfaqësuesen tonë. Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore shumë të mira, por ndaj Iranit kam treguar një formë shumë të mirë, madje kam qenë edhe më mirë se ndaj Katarit.
Këtu e ndiej veten shumë mirë, jam përshtaur falë mbështetjes që më kanë dhënë shokët e skuadrës por edhe trajneri De Biazi. Ambienti në përfaqësuese është i mrekullueshëm, nuk e kam menduar se do të gjeja një pritje dhe ngrohtësi të tillë. Ndaj edhe dua që ti jap nj përshëndetje të zjarrtë këtyre tifozëve që na mbështetën në këtë ndeshje. O sa mirë me qenë shqiptar, than ë fund të prononcimiot të tijs htatlarti Mavraj i cili drejtohet nga tifozët shqiptar që janë të pranishëm në stadium.
Berisha: Privilegj që jam në kombëtare, mirëpres konkurrencën me Ujkanin
Etrit Berisha, kandidat për portën e përfaqësuese sonë dje është aktivizuar që nga minuta e parë, madje ka bërë një paraqitje mbreslënëse duke marrë edhe përgëzimet e shokëve të skuadrës por edhe të trajnerit De Biazi. Gardiani me origjinë kosovare që luan në Suedi është kandidat për të veshur fanellën e titullarit. Ai nuk i fsheh emocionet pas sfidës së djeshme me Iranin dhe pas sfidës ka pohuar:
Kam qenë shumë i emocionuar sepse ka qenë ndeshje ime e parë me përfaqësuesen. Ndoshta u ndieva i privilegjuar sepse trajneri më dha një mundësi të artë duke më aktivizuar qysh në minutën e parë. U mundova që të bëjë më të mirën dhe tua shpërblej besimin të gjithëve. E falënderoj shumë trajnerin për besimin që më la në fushë për 90-minuta.
Për mua është një privilegj i madh që të mbroj portën e ekipit kombëtar. Madje, emocionohem shumë kur shoh që na mbështetine dhe tifozët tanë që janë të mrekullueshëm. Ata nuk pushuan edhe sot edhe pse ishte një ndeshje miqësore.
Konkurrenca me Ujkanin Ndër të tjera, gardiani me perspektivë, Etrit Berisha, foli edhe për konkurrencën me Samir Ujkanin. Unë e pranoj konkurrencën dhe e vlerësoj shumë Ujkanin. Unë jam i hapur për konkurrencën, ajo do e bëj përfaqësuesen që të luaj më bukur por të jetë edhe më e fortë.
