E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pjesë e organizatës ndërkombëtare të drogës në Spanjë, arrestohet në Vlorë 30-vjeçari

Një 30-vjeçar është arrestuar në Vlorë, i cili akuzohet se është pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës në Spanjë. Në pranga përfundoi Xhuljano Hajrulla, 30 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në vendin e quajtur “Albano Romina”, Vlorë gjatë operacionit të koduar “Escape”. 

30-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjetikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll. 

Hajrulla akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e drogës dhe 30-vjeçari dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve.

Pritet që Xhuljano Hajrulla të ekstradohet drejt Spanjës për të vuajtur dënimin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›