E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjeter Bogdani

Personalitet i shquar i kulturës shqiptare i shek. XVII  dhe vepra “Çeta e profetëve” (1685)

Për Pjetër Bogdanin dhe veprën e tij “Çeta e profetëve”, e botuar në vitin 1685, 325 vjet më parë, janë botuar artikuj, studime, monografi, dokumente, janë organizuar konferenca shkencore dhe vepra e tij ka njohur disa ribotime e transkriptuar në shqipen e sotme, pajisur me studime dhe shënime, si dhe është nxjerrë leksiku i saj.

* * *

Ndonëse studimet janë të shumta për jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit, duke i kaluar autorët paraardhës, përsëri ka çështje të diskutueshme.

Të gjitha kërkimet rreth vitit të lindjes së Pjetër Bogdanit nuk japin një datë ekzakte. Një ndër studiuesit e jetës dhe veprës së këtij personaliteti, Luigj Marlekaj, shpreh mendimin se Bogdani mund të ketë lindur rreth viteve 1625-1627. Gjithashtu, edhe për vendin e lindjes ka pasur diskutime, ku përsëri ky studiues është i mendimit se ka lindur në Gur të Hasit, në afërsi të Prizrenit, mbështetur në vetë pohimet e Bogdanit, që thotë: “…tue kjanë unë prej Guri ndë Hast Sanxhakijet të Dukagjinit, Dioçezit së Prezërendit…” e quajtur motit Serbi, ndonëse ka edhe ndonjë version tjetër. Rridhte prej familjes me emër për kohën të Bogdanëve. Vdiq në Prishtinë, më 6.12.1689, pasi i kishte mbushur 60 vjetët.

Për arsimimin e tij u interesua i ungji Andrea Bogdani, një klerik që kishte pasur suksese në hierarkinë kishtare, i cili e dërgoi për studime në Kolegjin Urban të Romës. Pranimi në këtë kolegj ishte i kushtëzuar me moshën dhe me aftësitë e nxënësit. Nuk kaloi shumë kohë, kur Bogdani, një nxënës me kërkesa, filloi mosmarrëveshjet me rektorin e këtij kolegji, gjë që e detyroi Andrea Bogdanin të ndërhynte dhe ta largonte të nipin prej andej, duke e dërguar në Kolegjin e Loretos, afër Ankonës, ku kishte studiuar edhe ai vetë. E mbaroi me shumë sukses kolegjin, duke marrë edhe doktoratën në filozofi. Një vit më vonë mori doktoratën edhe në teologji, në Kolegjin Urban të Romës. Kështu Bogdani u pajis me një kulturë jo vetëm teologjike, por edhe me njohuri gjuhësore, letrare, filozofike etj., e mjaftueshme për kohën, por edhe me dy doktorata. Me këtë bagazh, ai pas qëndrimit prej 9 vjetësh në Itali, në vitin 1651 kthehet në atdhe për të shkuar përsëri atje pas një viti. Bogdani kështu do të shtegtojë disa herë në Itali, kur me dekret të Papës Aleksandit VII, më 6 mars të vitit 1656, emërohet ipeshkëv i Shkodrës, ofiq që e mban për 21 vjet. Ngarkohet edhe si administrator i Tivarit në vend të Mark Krisit. Rrethanat e pushtimit dhe ndjekjet që ka pasur në Shkodër, e detyrojnë Bogdanin ta transferojë selinë e tij fillimisht në Barbullush, ku edhe zbukuroi kishën e atij fshati e më pas në disa fshatra të tjerë, deri së fundi që u vendos në fshatin Rrjoll, ku tradita ka ruajtur edhe sot toponimin Shpella e Rrjollit.

Në një relacion që i dërgon Vatikanit, Bogdani ankohet se përndiqet nga pushtuesi, prandaj është i detyruar për të kryer shërbimet fetare, të ndërrojë petkat e të vishet varfërisht se ka qenë tri herë i martirizuar për vdekje, sa e sa herë i grabitur me çka kishte, duke udhëtuar më së shumti në këmbë.

Pjesën më të madhe të jetës aktive e kaloi në Shkodër. Në vitin 1677 u emërua arqipeshkv i krahinës së Kosovës me qendër në Shkup, pasi i ungji i tij, Andrea Bogdani, për arsye moshe dhe sëmundjeje dha dorëheqjen. Këtu qëndroi 12 vjet deri sa vdiq. “Para seme u nisë për në Serbi, shkruan L.Marlekaj, Bogdani me zemërgjanësi të madhe u la françeskanëve ose fretënve të vegjël të reformuem të Shqipnisë gjithça kishte pronë më Rrjoll, shtëpinë e kishën, livadhin dhe vneshtën me një vlerë të përgjithshme prej më se 500 skudash. Ai qe një ndër organizatorët e lëvizjes çlirimtare që filluan në ato vite, kryesisht në zonat ku shërbente si klerik.

* * *

Në vitin 1675, Pjetër Bogdani, kur shërbente si klerik në Shkodër kishte përfunduar variantin shqip të veprës “Flauissae Prophetarum… gjë që e detyroi të shkojë në Itali për të gjetur mundësinë e botimit. Ky është titulli i parë i veprës “Çeta e profetëve”, gjë të cilën e mësojmë nga një letër në italisht që Pjetër Bogdani i dërgon Propagandës Fide, ku e njoftonte se e ka përfunduar veprën dhe ankohet se nuk kishte libra në gjuhën shqipe dhe se ajo po humbte në mes turqish, grekësh dhe serbësh. Autorit iu kërkua që veprën ta përkthente, kusht të cilin e plotësoi në përkthimin italisht ose latinisht. Vepra nuk u botua dhe dorëshkrimi ende sot nuk njihet. U deshën 10 vjet të kalonin që vepra të shihte dritën e botimit me titull “Çeta e profetëve”, botuar jo në Romë, por në Padovë, më 1685, falë ndihmës së kardinal Barbarigut, peshkop i Padovës, i cili në atë qytet kishte ngritur edhe një shtypshkronjë. Shumë shpejt vepra njohu edhe dy botime të tjera, më 1691 dhe 1702, por me titull tjetër “L’infalibile verita”.

“Çeta e profetëve”, një vepër me tipare e artistike, është krijimi kryesor i P. Bogdanit, me rreth 400 faqe. Ka të dhëna me interes për shkencat shoqërore dhe ekzakte, si për gjuhën, historinë, arkeologjinë, astronominë, gjeografinë, fizikën, si dhe elemente që kanë karakter pedagogjik e psikologjik, të gjitha këto brenda kufijve teologjike të kohës, pra është përcaktuar “një trajtesë teologjike-filozofike me elemente të shumta enciklopedike, shkencore e letrare”. Bogdani, me idetë e tij humaniste-iluministe, veçanërisht me pasionin për gjuhën shqipe, do të jetë një ndër ata autorë të kohës së tij që do të ndikojë te pasardhësit dhe te vetë rilindësit tanë.

Jemi në atë kohë kur kultura shqiptare kishte njohur disa botime dhe shkrimi shqip po fillonte të përhapej pak nga pak në disa zona të vendit tonë. Buzuku botoi një vepër fetare “Meshari”, me interesa të veçanta edhe gjuhësore, por me vlerë si libri i parë i gjuhës shqipe, me sa dimë deri më sot, për të vazhduar me veprat e Budit, Bardhit. Secila nga këto vepra, qofshin përkthime apo krijime, ruajnë edhe sot vlerat e tyre, duke i parë lidhur me kohën kur u shkruan, si dhe me gjendjen e dijes së kohës. Kështu vepra e Pjetër Bogdanit vinte, pra në një kohë kur ishin botuar në gjuhën shqipe disa libra, por e veçanta e saj qëndronte se nuk kemi të bëjmë me një libër thjesht përkthim, por me diçka shumë më tepër, një vepër origjinale, me të cilën fillon proza letrare shqipe.

“Çeta e profetëve” u botua në dy vëllime, në dy shtylla njëra shqip, tjetra italisht, të ndara në shkalla dhe ligjërata. Vëllimi i parë e merr temën nga Dhiata e Vjetër, kurse i dyti i kushtohet Dhiatës së Re. Duhet theksuar se jo të gjitha botimet e vëllimit të dytë kanë një përkthim nga libri i Danjelit që Bogdani e jep në tetë gjuhë: latinisht, greqisht, armenisht, siriane, hebraike, arabisht, italisht dhe shqip.

Vepra ka disa parathënie dhe përkushtime të Bogdanit, por edhe për Bogdanin. E fillon me një përkushtim plot lëvdata dhe falënderime për Kardinal Barbarigon, i cili i krijoi mundësinë, me bujarinë dhe fisnikërinë e tij të botojë veprën “Çeta e profetëve” dhe më pas një poezi nga Matej Tomaseo për nder të Kardinal Barbarigos.

Me interes të veçantë është parathënia e Bogdanit e titulluar “Të primitë përpara letterarit” dhe më pas dy poezi të shkruara nga Lekë Suma dhe tjetra nga Lukë Bogdani, i nipi i tij. Pas parathënies si çështje të veçantë jep disa udhëzime të shkurtra për të lexuar drejt në gjuhën shqipe. Kjo qarkore metodike, siç e quan Sh. Osmani, “përfaqëson një kod gjuhësor të kohës në gjininë e vet. Në historinë e didaktikës së gjuhës shqipe ky është dokumenti i parë që njohim në këtë fushë.”13

Vepra paraqet interes shkencor në disa rrafshe. Po ndalemi te parathënia “Të primitë…”. Ajo është një sintezë e mendimeve që kishte Bogani për problemet e kohës, duke e njohur mirë situatën në kushtet e pushtimit. Dhe ajo që e dëmton shqiptarin, siç shkruan ai, “janë mëkati dhe mosdija, sepse u dvur dija e urtia”, prandaj. Bogdanin, këtë njeri të ditur, zotërues i disa gjuhëve të huaja, me dy doktorata e shqetësonte gjendja e mjerueshme e popullit shqiptar nga pikëpamja arsimore dhe kulturore dhe nuk pajtohej me një gjendje të tillë që për ndonjë studiues, Bogdani i shpalli luftë prapambetjes kulturore, paditurisë. Gjithnjë, duke u nisur nga botëkuptimi fetar i tij, por njëkohësisht edhe si patriot dhe njeri i ditur, e kuptonte se zhvillimi kulturor i një populli ngjet kur “lulëzojnë shkencëtarët, letrarët dhe dija”. Autorin e brente fakti se shqipja po huazonte shumë fjalë nga fqinjët, prandaj ai kërkon e kërkon që të gjejë fjalë të burimit vendës. Këtë zell autori ia ka nxitur i ungji, Andrea Bogdani, i cili e ka ndihmuar, duke i dhënë shumë fjalë shqipe “të cilat me lehtësi i dinte dhe i shqiptonte”. Gjithashtu Bogdani ishte i ndërgjegjshëm për veprën që po kryente, duke i dhënë përparësi edhe gjuhës që përdor, qoftë duke shfrytëzuar mundësitë që i jepte gjuha e folur, të cilën kërkon ta përsosë. Për të shprehur konceptet e ndryshme që do të përdorte në vepër, ai mblodhi shumë fjalë “plaka e të harrueme”, u dha jetë mjaft fjalëve që përdoreshin në atë kohë dhe krijoi edhe neologjizma. Kështu kërkon që të ngrihet niveli i saj, si gjuhë europiane të ishte e aftë të pasqyronte edhe nocione abstrakte që do të përdorte në veprën “Çeta e profetëve”. Dhe për këtë ishte i vetëdijshëm, prandaj shkruan: “Dëshirove mirëfilli qysh po flasim italianisht, bukur të kumbon e të kallzon arbërisht”. Bogdani punoi me shumë dëshirë dhe pasion për të mos “e lanë dijenë, gjuhën e dheut me u dvarunë”. Veçoria dalluese e veprës është shfrytëzimi i gjuhës së folur të popullit, duke i dhënë veprës nota origjinale. Dhe në vepër ndeshim edhe përkthime, të cilat shquhen për afrimin me veçoritë e shqipes, të njëjtën gjë e ka bërë edhe kur ka krijuar fjalë të reja. Bogdani është udhëhequr që vepra e tij të shërbejë edhe për pasurimin e gjuhës dhe përpunimin e saj. Prandaj te ky traktat vërehet puna që ka bërë Bogdani jo vetëm të gjurmojë fjalën dhe shprehjet shqipe, por edhe t’i vërë ato në jetë. Ai kërkonte që shqipja të ngrihej në një gjuhë kulture, prandaj edhe fjalori i veprës është më i pasur krahasuar me paraardhësit dhe bashkëkohësit. Në këtë rrafsh, ai zgjodhi disa fjalë të vjetra dhe i përdori në vepër me qëllim që “të mos harrohej e të dvarej (= të humbë) gjuha”. Në këtë aspekt vepra shquhet për disa veçori.

Ndonëse “Çeta e profetëve” ka kryesisht karakter fetar, por Bogdani qe i aftë me erudicionin dhe kulturën që kishte, të përdorë edhe një fjalor që për kohën ishte deri-diku i pasur, pasi solli edhe prurje të reja. Në fushën e gjuhësisë ndeshim fjalë-terma të tilla, si: arbënisht, gramatikë, ligjëratë, shqiptim etj., nga astronomia dhe gjeografia: Tokë, qiell, planet, meteor, baticë, diaoqezë, sanxhak etj., si dhe nga disiplina të tjera letërsia, psikologjia, pedagogjia etj. Në fjalorin e tij ndeshim edhe terma ndërkombëtarë, si: bibliotekë, antonomazi, apokalipsi, sinekdokë, astrologji etj.

Te gjuha e Bogdanit vërehen edhe ndikime nga italishtja, latinishtja, serbishtja e greqishtja. Te vepra e Bogdanit ndeshim më shumë fjalë të burimit turk, çka nuk e vërejmë te autorët paraardhës nga njëra anë, kurse nga ana tjetër tregon trysninë e gjuhës së pushtuesit. Mund të përmendim fjalë të tilla, si: bojë, saraj, sexhade, tepsi, çardak, kurban, bajrak, xhelat, bahçe etj. Fjalori i veprës së tij që përmban 2720 fjalë sipas K. Ashtës, ka edhe krijime të Bogdanit, si: landëtar = marangoz, fqinjëtar = fqinj, dekëtar = i vdekshëm, bashkarí = miqësi etj.

Në fund të parathënies “Të primitë…” shkruan: “Të lutem, pra lexuesi im i urti, të më arsyetosh, nëse gjen fjalë që do t’i trazojë veshët, sepse as dielli pa hije e as hana pa njegullatë në faqe nuk asht”.

* * *

Edhe për Bogdanin një pengesë serioze ishte mungesa e një alfabeti për shqipen. Në këtë fushë u përpoq edhe ai që të lërë gjurmë. U nis nga dëshira që të mos përdorë shkronja të tjera, përveç atyre latine, por, pasi nuk siguroi mjete financiare për ta botuar veprën, dëshirën e tij nuk e çoi deri në fund. Ai kërkoi “karakteritë arbënisht pasi paç dëshiruem”. por nuk i gjeti, atëherë u detyrua të përdorë edhe dy shkronja greke. Në parathënie shkruan: “Puna më doli fort e mbarë dhe e shpejtë. Ndonëse nuk gjeta shkronja shqipe, posi kisha dëshiruar u shërbeve pa pengesë me disa sosh greke, duke qenë i bindur se lexuesi ynë shqiptar me urtinë e vet do t’i lexojë të gjitha fjalët, siç bëjnë francezët dhe gjermanët, të cilët ndryshe shkruejnë se që lexojnë”, ide që e përsërit edhe tek udhëzimet që jep për të lexuar drejt gjuhën shqipe që thekson se francezët e gjermanët shkruajnë në një mënyrë e lexojnë në një tjetër. Bogdani, në këto udhëzime, bën sqarime për katër shkronja. Është autori që e ka dhënë të plotë sistemin fonologjik të gjuhës shqipe, duke dalluar grafikisht zanoren ë nga e-ja, që e paraqet me grafemën è. Për herë të parë e ndeshim më 1592 te Lekë Matrënga që e jep me æ. Bogdani përdori edhe tri grafema të veçanta për të paraqitur tinguj-fonemat dh (th), y, z, si dhe dy shkronja greke për ll (λ) e k (κ). Me një përdorim më të kufizuar përdori edhe grafemën latine ll.

Alfabeti i përdorur te vepra “Çeta e profetëve” është më i stabilizuar, më i kapshëm dhe jo i vështirë në përdorim. Përdorimi i tri shkronjave të posaçme që i kishte Budi mund të jetë ndikim i drejtpërdrejtë i autorit paraardhës. Alfabeti i Bogdanit la gjurmë te bashkëkohësit dhe pasardhësit, të cilët e përdorën me ndryshime të parëndësishme, si “Kuvendi i Arbënit” (1706), “Vërejtje gramatikore në gjuhën shqipe” të Da Leçes (1716) ”Përmbledhje e shkurtër e Doktrinës së Krishterë” (1743) e Gjon Nikollë Kazazit. Edhe Ndre Mjeda do ta përdorë këtë sistem shkrimor në krijimtarinë e tij të parë dhe ndonjë krijim origjinal. Ky ndikim mund të shpjegohet se alfabeti i Bogdanit ishte më i përpunuar se ai i paraardhësve dhe të njihej prej autorëve që shkruanin, mbasi ishte më afër në kohë, kur dihej edhe autoriteti i tij si njeri erudit.

Kjo traditë e përdorimit të alfabetit latin që te “Formula e Pagëzimit” (1462) dhe më pas te “Meshari” i Buzukut pati vazhdimësi deri në zgjidhjen përfundimtare të alfabetit të përbashkët të shqipes në Kongresin Manastirit, më 1908.

* * *

“Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit qe një vepër me vlera të veçanta edhe nga ana gjuhësore, pasi kemi një gegërishte të përzgjedhur, ku ndeshim fjalë të burimit vendës, fjalë të krijuara nga ai vetë. Me këtë vepër origjinale, siç vërejnë studiuesit “u arrit shkalla më e lartë e përpunimit gjuhësor dhe letrar në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare, duke e kapërcyer edhe shekullin XVIII.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›