Mbivendosja e 3 viruseve ne ajer fatale per femije paciente te moshuar
Mbivendosja e tre viruseve që janë aktualisht në qarkullim mund të jetë fatale për grupet e riskut. Bëhet fjalë për fëmijët, për pacientët kronikë e të moshuarit mbi 65 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, ndodhemi në fazën e nxehtë të qarkullimit të virozave e gripit. Ndërkohë që në Kosovë është evidentuar një pacient i prekur nga AH1N1, gripi i derrit. Në rast se tre virozat bashkohen të gjitha në një, atëherë mund të jetë e rrezikshme për popullatën. Ajo që rekomandohet, është dieta e pasur ushqimore me lëngje, vitamina e proteina, larja e duarve, evitimi i ambienteve me shumë njerëz, ajrosja e vendit ku kalojmë kohë të konsiderueshme. Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka sqaruar se autoritetet shqiptare janë duke zbatuar direktivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga komunikimi i vazhdueshëm me OBSH rezulton se në rajon, krahas viruseve të gripit stinor, ka nisur të qarkullojë dhe virusi i gripit AH1N1. Eksperienca e kalimit të sezonit në hemisferën jugore ka dëshmuar se qarkullimi i njëkohshëm i viruseve të gripit stinor dhe atij AH1N1 dhe sidomos mbivendosja e tyre në grupet e popullsisë me risk të lartë, shpesh ka qenë fatale. Kjo është arsyeja që OBSH-ja ka kërkuar dhe kërkon nga të gjitha vendet e rajonit tonë, por edhe në rang botëror, rritjen e gatishmërisë të sistemit alert për të monitoruar, vlerësuar në kohën e duhur dhe për të marrë masat e nevojshme për të parandaluar infeksionin e njëkohshme të tre viruseve qarkullues, por dhe për të zvogëluar dënimin në rastin kur ato mbivendosen. Situata epidemiologjike tregon se në rajon qarkullojnë tashmë viruset e gripit stinor 2010–2011: AH3N2, AH1N1 dhe Viruset B. Të tre viruset janë përfshirë (përmbahen) në vaksinën e gripit stinor 2010-2011 për hemisferën e veriut.
Në fillim të muajit shtator 2010, një shtet ka raportuar 12 raste vdekjesh, nga të cilat 2 raste nga influenca B dhe 10 raste nga influenca pandemike H1N1 2009. Informacioni paraprak nga rastet e infektuara me virusin pandemik (H1N1) tregon se grupet me risk të lartë për sëmundje të rënda apo vdekjeprurëse të përcaktuara gjatë pandemisë së gripit mbeten më të rrezikuara. Grupet e popullatës, të cilave u rekomandohet vaksina e gripit janë:
personat mbi 65 vjeç, fëmijët mbi 6 muaj, të rriturit me sëmundje kronike të zemrës dhe mushkërive, sëmundje metabolike apo të veshkave, sëmundje kronike të mëlçisë, gjendjet kronike neurologjike ose të pamjaftueshmërisë imunitare, personat që jetojnë në institucionet rezidencialë të përkujdesit social dhe me paaftësi, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna.
Nga të dhënat operative, rreth 110 000 doza vaksinë kanë hyrë në vend dhe deri më tani janë vaksinuar një numër i konsiderueshëm i popullatës dhe punonjësve të shëndetësisë.