"Plaga e dhjete e Gjergj Elez Alise" se shpejti ne TOB

Rikthehet pas 25 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, legjenda e vjetër shqiptare, e eposit të kreshnikëve, e mishëruar në një balet "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë".
Kjo pjesë, premtojnë autorët, do të jetë totalisht shqiptare në të gjithë komponentët e saj. Pas aksidentit të rëndë që pësoi koreografi i njohur, Agron Alia, shëndeti i të cilit është përmirësuar ndjeshëm ditët e fundit, e ka vazhduar Kujtim Hoxha, i cili shprehet se është përpjekur ti qëndrojë rikonceptimit që kishte parasysh mjeshtri në këtë rivënie.
Kjo rivënie vjen në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku autorët shqiptarë do të kenë më shumë hapësira. "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë", vjen me libret të Ismail Kadaresë dhe muzikë të Feim Ibrahimit, orkestra do të dirigjohet nga Petrika Afezolli dhe në rolet kryesore interpretojnë balerinët Enada Hoxha, Gert Vaso, Greta Hushi, Elvis Abazi, Kevin Lila etj.