Dhuna ndaj Mero Bazes, dy në pranga, në kërkim Rezart Taçi
Dy persona janë arrestuar nga policia e kryeqytetit pas dhunimit të gazetarit Mero Baze në orët e vona të dy netëve më parë në zonën e ish-bllokut, ndërkohë që është shpallur në kërkim biznesmeni Rezart Taçi. Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se në pranga janë vënë dy truprojat e biznesmenit Rezart Taçi, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, të cilët akuzohen se kanë përdorur forcën ndaj gazetarit Mero Baze. Ndërkohë, pasi i bëri thirrje të paraqitej vetë pranë organeve të policisë, policia shpalli në kërkim biznesmenin Rezart Taçi, i cili duhet të japë sqarime rreth kësaj çështjeje. Përmes rrugës elektronike, vetë Taçi mësohet të ketë mohuar të ketë qëlluar ndaj Mero Bazes, ndërkohë që është shprehur se nuk mban përgjegjësi mbi veprimet e truprojave të tij. Ndërkohë që dëshmitë e dhëna nga dy dëshmitarët okularë dhe persona të tjerë që ndodheshin në lokal dëshmojnë të kundërtën e deklarimeve të biznesmenit Taçi. Gazetari Mero Baze mësohet se është shoqëruar menjëherë pas ngjarjes në Spitalin Ushtarak dhe pas mjekimeve të marra ka lënë këto ambiente dhe është shoqëruar për në banesë. Vetë Baze ka dhënë dëshminë e tij të plotë menjëherë pas ngjarjes, madje ka bërë edhe kallëzim penal ndaj Rezart Taçit, i vetmi person që njihte për fytyrë dhe emër, si dhe ndaj personave të tjerë që ushtruan dhunë ndaj tij. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë me detaje dëshmitë e dy shoqëruesve të Bazes, gazetarëve Andi Bushati dhe Arban Hasani, si dhe personave të tjerë që ndodheshin në lokalin “Capricio” në zonën e ish-bllokut. Sipas dëshmive të dhëna nga dëshmitarët, Mero Baze po qëndronte bashkë me dy kolegët, Andi Bushati dhe Arban Hasani në një nga tavolinat e pub-it kur aty pranë kaloi Rezart Taçi së bashku me truprojat e tij. Pas shkëmbimit të fjalëve fyese, situata degjeneroi në konflikt fizik ku u përfshinë Taçi dhe truprojat e tij, që goditën gazetarin Mero Baze. Goditjet kundër Bazes kanë zgjatur përreth 4-5 minuta, siç u shprehën edhe kolegët Bushati dhe Hasani që ndërhynë për të shmangur sherrin. Pas ngjarjes, Mero Baze u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku mori edhe ndihmën e parë. Në këto ambiente gazetari Baze bëri kallëzimin para policisë, ku dëshmuan edhe kolegët që ishin prezentë në ngjarjen e rëndë. Mero Baze, kohët e fundit ka shkruar një seri shkrimesh kritike në gazetën e tij “Tema” dhe ka bërë një sërë emisionesh në “Vizion Plus” mbi veprimtarinë ekonomike të kompanive të drejtuara nga Rezart Taçi, të cilat i ka akuzuar për evazion fiskal.
Reagon Taçi: Nuk kam ushtruar dhunë ndaj Mero Bazes
Në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze në lidhje me ngjarjen në lokalin “Capricio”, ku përflitet papërgjegjshmërisht se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze. Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo mediaje, edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija. Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Opinioni publik është tashmë i mirëinformuar për këtë strategji, e cila ka shumë kohë që është gatuar kundër personit tim. Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim.
Reagimi i UGSH-së
Dhuna mbi gazetarin Mero Baze, një akt i përsëritshëm kriminal
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar në orën 23:00 të mbrëmjes së datës 2 nëntor 2009 nga biznesmeni i njohur, Rezart Taçi dhe shoqëruesit e tij në një nga lokalet e kryeqytetit, Tiranë. Fyerjet dhe dhuna fizike e ushtruar mbi gazetarin e njohur, në prezencë të qytetarëve të pranishëm në lokal, si dhe të kolegëve Andi Bushati dhe Arban Hasani, pasojnë akte dhune dhe kërcënimi në rrethana dhe prej personash të tjerë, mbi gazetarin politik dhe investigativ Mero Baze. Si pasojë e kësaj dhune, gazetari Baze është gjendur në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku i është ofruar ndihma e menjëhershme mjekësore. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon këtë akt dhe u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucional. Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë, të kryhen pa shmangie veprimet procedurale. Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues. Ky akt dëshmon se gazetari shqiptar është i kërcënuar në çdo moment nga brutaliteti dhe dhuna fizike kriminale. Fakti që raste të tilla përsëriten dhe sidomos ndaj këtij kolegu, flet qartë për rritje të agresivitetit të personave me pasje dhe me pushtet ekonomik e financiar. Unioni i Gazetarëve deklaron se Mero Baze është dhunuar për shkak të detyrës dhe për këtë arsye, rasti në fjalë është akt dhunues dhe kërcënues për shkak të detyrës. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton gjithë kolegët të solidarizohen me kolegun dhe të reagojnë fuqishëm dhe këmbëngulshëm ndaj sjelljeve, akteve dhe kërcënimeve të çdo forme ndaj mediave dhe gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton editorët e mediave shqiptare në shenjë proteste të lënë pesë minuta “të zezën” (black) në edicionet informative te televizioneve të vendit dhe një sipërfaqe botimi të bardhë në shtypin e përditshëm të printuar. Këtë mënyrë proteste, dhe reagimet sensibilizuese, ne duhet t’i manifestojmë në respekt të vetëmbrojtjes dhe të kërkesës për garanci e liri në vendin tonë.
Topi: Para drejtësisë dhunuesit e Bazes
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dënoi aktin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, ndërsa kërkoi nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të vënë përpara drejtësisë autorët e vërtetë. “Të gjithë aktorët politikë në Shqipëri të analizojnë me shqetësim këtë akt, duke u angazhuar realisht dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias”, - thuhet në reagimin e z.Topi.
Berisha: Cenimi dhe keqtrajtimi ndaj gazetarëve, i pajustifikueshëm
Rreth mesditës së djeshme ka reaguar edhe zyra kryeministrore lidhur me agresionin e biznesmenit Rezart Taçi kundrejt gazetarit Mero Baze. Përmes zëdhënëses së qeverisë, Juela Meçani, Kryeministri Berisha iu kërkoi organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Kryeministri Berisha thekson përmes zëdhënëses Meçani edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve, për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë.
Meta: Agresorët e Bazes, para drejtësisë
Zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, reagoi lidhur me ngjarjen në të cilën janë përfshirë gazetari Baze dhe biznesmeni Taçi, duke u shprehur se agresorët duhet të dënohen dhe se para drejtësisë janë të gjithë të barabartë, përfshi edhe biznesmenin Rezart Taçi. “Dënoj aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze. Shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e mediave në vendin tonë”, - u shpreh Meta. Numri dy i qeverisë u shpreh se beson se të gjithë autoritetet do të bëjnë detyrën e tyre ndaj Rezart Taçit dhe cilitdo që sulmon njerëzit e medias.
Rama kërkoi nga z. Topi të mbrojë lirinë dhe të drejtat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi pas ngjarjes së dy netëve më parë, ku si pasojë e një sulmi të biznesmenit Rezart Taçi dhe truprojave të tij mbeti i plagosur gazetari Mero Baze. “Mbrëmë u bë një sulm gjakatar ndaj një gazetari nga klienti i familjes”, - u shpreh Rama. Kreu socialist kërkoi nga Presidenti Bamir Topi që të mos heshtë, por të flasë për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat, për të mos u pajtuar me rrënimin e pushtetit, dhunimin e kushtetutës e gjakosjen e një gazetari që denoncon korrupsionin e qeverisë. Ndërkohë, Rama kërkoi nga Berisha që të dalë personalisht për të kritikuar krimin e një nate më parë, për të parë edhe publiku se përgjakja e dhunshme e gazetarit nuk ka spërkatur fytyrën e Kryeministrit.
Dhuna ndaj Bazes, SHBA: Hetim të plotë dhe të shpejtë
Ambasada amerikane reagoi dje për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze dhe kërkoi hetim të plotë dhe të shpejtë të ngjarjes. “Përgjegjësit duhet të japin llogari për ngjarjen. Mbështesim autoritetet në zbardhjen e plotë të rastit”, - thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. Duke i konsideruar si të papranueshme presionet ndaj medias, ambasada vlerëson se errësimi i lirisë së medias është i patolerueshëm. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari. Ambasada do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri.