Trajleri përplaset me autobusin me pasagjerë, plagosen 5 persona
Pesë pasagjerë të një autobusi që ishte nisur në drejtim të Athinës mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Fier-Lushnjë. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Mbrostar. Autobusi i linjës Tiranë-Athinë u përplas me një maune dhe për pasojë doli jashtë rruge duke u përmbysur. Për pasojë pesë prej 50 pasagjerëve morën dëmtime të rënda. Është dashur ndërhyrja e policisë për të bërë të mundur, që të plagosurit dhe pasagjerët e tjerë të nxirreshin nga mjeti. Uniformat blu nisën hetimet në lidhje me këtë aksident.
Ngjarja
Rreth orës 06:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, autobusi i linjës Tiranë-Athinë ishte duke lëvizur në drejtim të Fierit. Në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Mbrostarit” përpara mjetit është shfaqur një maune e tonazhit të lartë. Drejtuesi i autobusit me targa TR 7214 A është përpjekur të manovrojë. Ai ka frenuar, por autobusi ka vazhduar lëvizjen duke dalë jashtë rruge. Si pasojë e kësaj, ai madje është përmbysur, duke krijuar një rrëmujë dhe panik brenda pasagjerëve të mjetit. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia. Ndaj 50 pasagjerëve është dhënë ndihma e parë, duke i nxjerrë ata nga mjeti. Pesë nga 50 pasagjerët morën dëmtime më të mëdha nga ky aksident. Ata u dërguan menjëherë në spitalin e Fierit, për t’u marrë nën kujdes nga bluzat e bardha. Sipas burimeve nga spitali, gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ngriti një grup hetimor në lidhje me këtë ngjarje. Sipas burimeve, shkak i këtij aksidenti është një manovër e gabuar e kryer nga drejtuesi i maunes, që ka detyruar drejtuesin e autobusit që të bëjë një frenim të fortë. Por kthesa e rrugës, si edhe terreni i lagur si pasojë e reshjeve të shiut kanë bërë që autobusi të dilte nga rruga dhe të përmbysej. Policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e maunes në lidhje me këtë ngjarje.