E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me armë koordinatori i FRD-së së Bamir Topit

Kavajë/ Fatbardh Belba në spital, policia thotë se është hakmarrje

Kavajë- Ende pa nisur mirë fushata elektorale, nxehen gjakrat midis anëtarëve apo drejtuesve të partive politike. Plagoset me armë zjarri Koordinatori i Frymës së Re Demokratike në Kavajë, Fatbardh Belba. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Kavajës, ku koordinatori Belba është qëlluar më dy plumba në këmbë pas një sherri të momentit në rrugë. Sipas policisë lokale, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, si pasojë e konflikteve të vjetra të të plagosurit me të dyshuarin që u shpall në kërkim. Ndërkohë që është identifikuar autori i krimit, emri i të cilit nuk u bë i ditur për shkaqe hetimore dhe është arratisur nga vendngjarja. I plagosuri është transportuar menjëherë për në spitalin e Durrësit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka qenë e rezervuar për rrethanat e krimit dhe motivet. Megjithëse deklarohet një sulm hakmarrës, nuk përjashtohet pista e hakmarrjes politike, pasi Belba është drejtues i partisë së drejtuar nga Bamir Topi dhe që brenda të djathtës, në një qytet tradicional të kësaj force në Kavajë, rrezikon të heqë shumë vota në zgjedhjet e ardhshme. Gjithsesi pritet në orët e mëvonshme zbardhja e ngjarjes dhe kapja e autorit. Në pyetje pritet të merret edhe i dëmtuari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›