Plagoset në burgun e Lezhës ish-kreu i komunës Rrethina
Vetëm pak ditë pas arrestimit të tij, është plagosur në ambientet e burgut të Shën-Kollit në Lezhë, kryetari i Komunës Rrethina e Shkodrës. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se 38 vjeçari Kleves Muja është qëlluar me kaçavidë në fyt, nga një tjetër i burgosur duke i shkaktuar atij plagë të rënda.
Xheladin Kruja nga Shkodra është autori i kësaj ngjarje, i cili e ka qëlluar Mujën gjatë kohës kur bashkë me të dënuarit e tjerë ishin në orarin e ajrosjes në burgun e Shën-Kollit. Dyshohet se mes tyre ka pasur një konflikt të vjetër, ndërsa Kruja ishte i dënuar me 12 vjet burg për vrasje.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku po merr ndihmën e parë mjekësore. Arrestimi i Kleves Mujës është kryer pasi autoritetet italiane të drejtësisë në Bari kanë lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, me datën 29 tetor 2010, pasi akuzohet për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Sipas policisë maksimumi i dënimit i parashikuar për këtë veprën penale është 20 vjet burgim, ndërsa 38 vjecari është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian, bazuar në marrëveshjen e ratifikuar tashmë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Italisë.